Që nga fillimi i këtij muaji është ndalur qarkullimi i trenave për transport të udhëtarëve. Vendimi për këtë e ka marr vet ndërmarrja për menaxhimin e trenave “Trainkos”.
Sipas kompanisë ndërprerja ka ndodhur për shkak të mungesës së mjeteve për të operuar. Ndalja e operimit të trenave e ka zhytur në krizë edhe ndërmarrjen për menaxhimin e hekurudhave “Infrakos”.
Kryeshefi i ndërmarrjes “Infrakos”, Agron Thaçi, në një intervistë për Ekonomia Online, ka thënë se nga ndalja e qarkullimit të trenave për çdo muaj po humbin rreth 25 mijë euro.
Ai ka thënë se kjo krizë e ka vënë “Infrakos” në një situatë aq të vështirë sa edhe pagat për 332 punëtorët nuk do të mund t’i paguajnë për muajin gusht.
“Çdo muaj nga kjo ndërprerje e transportit po humbim 23 deri në 25 mijë euro. Kjo për neve është mjaft sepse me 25 mijë euro ne i mbulojmë shumë shpenzime, ne sot jemi vënë në situatë që nuk mund ta paguajmë energjinë elektrike, shërbimet publike ujë dhe të tjerat dhe kemi shumë problem që t’i likuidojmë pagat këtë muaj për shkak se nuk kemi të hyra”.
Thaçi ka thënë se janë duke bërë përpjekje të mëdha për t’i likuiduar pagat por ende nuk janë të sigurt nëse do ta arrijnë këtë gjë, raporton EO.
“Ne po bëjmë përpjekje që të hyrat dhe obligimet që na i posedojnë të tjerët t’i tubojmë në mënyrë që të mund ti likuidojmë pagat, por nuk jemi të sigurt. Do të bisedojmë edhe me bordin me shoqatat e punëtorëve edhe me punëtorët që të shohim mundësinë ndoshta edhe për 50 për qind t`i shlyejmë këtë muaj pagat. Ne po bëjmë përpjekje maksimale, por nuk jemi të sigurt nëse do ti japim pagat për këtë muaj”, përfundoi kryeshefi i “Trainkos”.
“Trainkos” ia ka borxh “Infrakos” 700 mijë euro, mjete këto që kanë deklaruar se nuk mund ti paguajnë, kjo gjendje po e sjell në kolaps edhe kompaninë që merret me infrastrukturën e trenave.
“…ka një vit dhe më tepër operatori “Trainkos” nuk është në gjendje të na paguaj neve obligimet që na i ka për shërbimet që ne i kemi ofruar. 700 mijë euro borxh ka “Trainkos” për neve si ndërmarrje. Ne kemi bërë kërkesë dhe kemi pas takime me ta ku kemi kërkuar të na i shlyejnë obligimet, por ata thonë që nuk kanë mundësi të na paguajnë. Kështu që kompania “Trainkos” ka sjell në mënyrë indirekte ka futur edhe “Infrakos” në krizë të madhe”, shpjegoi Thaçi, raporton EO.
Në pyetjen se a do ta lejonin “Trainkos” që t’i lëshoj në qarkullim trenat pa ia shlyer borxhet ai ka thënë se këtë do ta bënin vetëm për një kohë të shkurtë deri në gjetjen e një zgjidhje të shpejtë.
“Sigurisht që ne do t’i lejojmë për një kohë të shkurtër. Do të ulemi me Qeverinë që ta bëjmë një zgjidhje. Ne jemi të gatshëm për tu ulur dhe për të bërë një lloj programimi të borxhit, por që pa pjesën e të hyrave që merren nga “Trainkos” e që na e kanë obligim ne e kemi obligim edhe të operojmë”.
Aktualisht në qarkullim është vetëm linja Prishtinë-Shkup.