Me rastin e 34-vjetorit të okupimit të Radio Televizionit të Prishtinës (RTP), është mbajtur konferencë për media, me ç’rast u evokuan kujtime dhe sfidat e asaj kohe nën pushtimin serb, raporton Ekonomia Online.
Aty u tha se RTP ishte i vetmi burim informacioni dhe se tendencat e Serbisë ishin ta mbanin shqiptarët në terr informacioni.
Ish-drejtori i produksionit të edicionit të lajmeve Qemail Sokoli ka treguar sfidat e mbijetesës së këtij televizioni në kohën kur kanë qenë pushtuesit serbë në Kosovë.
“Me 5 shkurt te vitit 1945, ne Prizren është themeluar radiostacioni i parë profesional me program të rregullt ditor në gjuhën shqipe, dhe në atë serbe – Radio Prizreni. Ishte ky, një sukses i madh i shoqërisë sonë të atëhershme në lëmin radiodivizive. E, me kalimin e administratës në Prishtinë, nga vjeshta e vitit 1946, funksionon si Radio Prishtina (RP). Zhvillimi i Radio Prishtinës ka shkuar krahas zhvillimit të kërkesave të shoqërisë sonë, dhe bëhet pjesë e pandashme e jetës dhe e gjenesise sonë. Pas, mposhtjes të forcave shoviniste serbomadhe në Plenumin e IV të Brioneve, në vitin 1996 krijohen kushtet e favorshme politiko-shoqërore për ne. Ashtu që, me 26 nëntor, nga studentët e Televizionit te Beogradit, për herë të parë ekrani televiziv foli – shqip”, tha ai.
Kurse ish-redaktori i emisionit “Ditari”, Enver Maloku ka thënë se qëllimi i okupuesit ka qenë që të mbyllet televizioni dhe të jetë në terrin informativë. Mirëpo sipas tij, u gjetën mënyra alternative për ta vazhduar.
“Qëllimi ishte se ne ishim i vetmi burim informativ ishte Radio Televizioni i Prishtinës, i besohej vetëm këtij televizioni. Qëllimi ishte ta pengojë të vërtetën. Por në kohën e okupimit u mbyll televizioni, mirëpo u gjetën alternative që të tregohet e vërteta sepse qëllimi i pushtuesit ishte të mbretërojë terri informativ”, tha Maloku.