Urtësitë e popullit hungarez duket se kanë diçka të përbashkët: Ato janë më së shumti të përqendruara tek përtacia, dembelizmi, si një formë indirekte për ta shtyrë njeriun drejt punës, veprimit, lëvizjes.
Për kënaqësinë e lexuesve tanë kemi përzgjedhur thëniet më të bukura nga Hungaria:
- Dashuri dhe liri, ja çfarë më duhet. Për dashuri jap gjithçka, për lirinë jap dashurinë.
- Lum ai që ka miq, mjerë ai që ka nevojë për ta.
- Njoh një mik përtac, ai kurrë nuk ec në diell, që të mos lodhet duke tërhequr hijen.
- Po e vure punën në shtrat, do vësh në gjumë edhe fitimin.
- Arma e të marrit është gjuha.
- Kafeja e mirë duhet të jetë e zezë si djalli, e hidhur si helmi dhe e ëmbël si puthja.
- Dashuria dhe urrejtja nuk janë gjykatës të drejtë.
- Do ishte gati të shkonte në varrimin e punës.
- E bukur shpata nëse shkëlqen, por do të ishte më mirë nëse është e mprehtë.
- Varfëria është lopa e pasanikut.
- Kush nuk ka kalë, le të ecë në këmbë.
- Njeriu i mençur ndjehet kudo si në shtëpinë e vet.
- E kap rrezen e dritës duke përdorur leqet e minjve. (Gënjen veten)
- E nxori tymin nga shtëpia me rrjetë.
- Në shenjë mirënjohjeje që e hipin në karrocë, budallai i mban fëmijët mbi shpinë që të mos rëndojnë ngarkesën.
- Jeta e vetmuar nuk mund të jetë pa mallëngjim.
- Jo çdo kokërr e lëmuar është thjerrëz.
- Kërkon mollë në pyllin e ahut.
- Kërkon të mbështetet mbi kallamishte.
- Kush ka kafshuar të kapërdijë.
- Macja pa kthetra nuk ngjitet dot në pemë.
- Në gjumë të gjithë jemi njësoj të pasur.
- Nëse marrëzia do të dhimbte, ajo do të ulërinte gjithë ditën e ditës.
- Njeriu mund të bëjë shumë, por bukuria bën shumë më tepër.
- Pendesa e sinqertë e fshin gabimin.
- Pluhurat që mjeku i jep për t’i tretur në ujë, budallai i kapërdin në mes të lumit.
- Poshtë kërthizës nuk ka as religjion, as të vërtetë e dëshmi.
- Prenë një pyll të tërë për të shpëtuar nga sorrat.
- Shkëndijat lindin edhe nga kudhra e vogël.
- Të mos gëzohet gjethi lart kur bie gjethi përtokë.
- Ujku me shpatull të shpuar nga plumbi, më fisnik se qeni lëpirës i zotërisë.
- Është më i gjatë vargu i ditëve sesa vargu i suxhukëve.
- Yjet janë shumë, por të gjithë së bashku nuk e zëvendësojnë dot diellin.
- Djalli tenton të gjithë përveç dembelit që tenton djallin.
- Fjala “duhet” nuk mbytet asnjëherë në Danub.