Kryetarja e Komisionit qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës së fundit në Kosovë, Minire Begaj-Balaj, thotë se, nga 1,000 persona që kanë fituar statusin e viktimave të dhunës seksuale, 36 janë burra.
Ajo thotë po ashtu se për tri vjet janë pranuar 1,564 aplikacione.
Sipas saj, mungesa e shprehjes së lirë për të treguar për dhunën e ndodhur, po bën që shumë gra të mos tregojnë përjetimet e tyre gjatë luftës.
“Komisioni qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës, ka filluar zyrtarisht punën me 5 shkurt 2018. Deri më tani, Komisioni ka pranuar 1,564 aplikacione në nivel të Kosovës, ndërsa u është njohur statusi i viktimave të dhunës seksuale 1,000 rasteve”
“Shumica janë gra. I kemi 36 raste që ua kemi njohur statusin burrave, të tjerat janë gra”, ka thënë ajo për REL.