Rreth 360 qytetarë të komunitetit serb kanë aplikuar në Agjencinë e Regjistrimit Civil, për t’i konvertuar patentëshoferët ilegalë në RKS, prejse Ministria e Punëve të Brendshme mori vendim që t’ua mundësojë ndërrimin e tyre.
Këtë e ka bërë të ditur kryeshefi ekzekutiv i Agjencisë për Regjistrim Civil (ARC), Blerim Camaj, në një intervistë për Ekonomia Online.
Ai ka thënë se ky vendim i MPB-së ishte i duhur dhe i nevojshëm.
“Që nga 9 maji, qytetarët serbë janë duke i konvertuar patentë shoferët. Procedurë e tyre është duke shkuar mirë. Nga shifrat që kanë aplikuar deri me 22 maj janë rreth 360 qytetarë. Vendimi ishte mësë i nevojshëm, për arsye ishte se këta qytetarë i regjistruan veturat e tyre në RKS, por nuk kishin patentëshoferë të Republikë së Kosovës. Kështu që ishte e nevojshme që këta qytetarë të përkthejnë patentëshoferët nga strukturat ilegale ashtu siç i kryhen edhe automjete edhe të kompletohen edhe ne komunikacion”, ka thënë Camaj.
Pas liberalizimit të vizave, ai shtoi se interesim të madh serbët kanë shprehur edhe për pajisje me pasaporta të Kosovës.
“Pas liberalizmit të vizave, edhe qytetarët nëpër komunat veriore kanë shtuar interesimin për t’u pajisur me pasaporta. Vlen të theksohet se shifrat janë shumë të mëdha krahasuar me vitet e kaluara. Që nga një janari deri me 22 maj, janë pajisur me pasaporta diku rreth 2 mijë e 500 qytetarë serbë. Që do të thotë nëpër katër komunat veriore, por edhe nëpër komunat tjera që janë me shumicë serbe të gjithë qytetarët serbë janë të interesuar të pajisen me pasaporta”.
Kryeshefi i ARC-së ka thënë se në nivel vendi, rreth 220 mijë qytetarë të Kosovës kanë aplikuar për t’u pajisur me pasaporta.
“Sa i përket kërkesave të qytetarëve pas liberalizimit të vizave, kërkesat u shtuan, shifrat janë rritur nga muaji janar deri në mars. Totali i aplikimit nga 1 janari deri më 22 maj është rreth 220 mijë qytetarë të Kosovës që kanë aplikuar për pasaporta. Tani pajisen menjëherë, afati që nga dita e aplikimi deri të pajisen tani e kemi zbritur në afate 7-ditore”, ka thënë ai.