380 fermerë të Komunës së Lipjanit janë pajisur me makineri bujqësore, subvencione këto të ndara nga buxheti komunal. Pajisjet përbëhen nga frezat, spërkatëse e shpërndarëse plehu, raporton Ekonomia Online.
Kryetari i Komunës, Imri Ahmeti, tha se subvencionimi ka për qëllim zhvillimin e bujqësisë në Lipjan. Premtoi se përkrahja do ta vazhdojë edhe vitet e ardhshme.
“Me këtë përkrahje ndaj fermerëve do të avancojmë dhe ta zhvillojnë bujqësinë edhe më tutje. Ne do të vazhdojmë që edhe në vitet e ardhshme të mbështesim fermerët tanë me qëllim të lehtësimit në punën e tyre por edhe në rritjen e sasisë dhe cilësisë së produkteve bujqësore”, tha Ahmeti.
Ai përgëzoi fermerët përfitues dhe i porositi që të punohet çdo pëllëmbë toke.
Drejtori i Bujqësisë dhe Pylltarisë, Rexhep Rexhepi, tha se kjo ndihmë është e mirëseardhur për fermerët.
“Fermerët nga sot do ta kenë me të lehtë punën në bujqësi. Kjo do të ishte e pamundur, pa mbështetjen e kryetarit Imri Ahmeti”, tha Rexhepi.
Të kënaqur u shprehën dhe fermerë lipjanas, të cilët thanë se këto pajisje do ta lehtësojnë punimin e tokës.
“Është një organizim shumë i mirë i cili mendoj që nuk është organizu më herët. Dhe desha të them që Lipjani me rrethinë është në pozicione shumë më të mira me kryetarin aktual Imri Ahmeti në të gjitha aspektet”, tha Burim Rexhepi.
“Është investu në infrastrukturë, kemi shkolla, çerdhe të reja, ura e të gjitha tjerat, kjo është një ndihmë tjetër e cila do t’i ndihmoj bujkut lipjanas, që mendoj që do të ndikoj direkt në zhvillimin e kësaj Komune”, tha tutje Rexhepi.