Ajo që ishte konceptuar si bisedë me media, u kthye në përpjekje 26 minutëshe të Rames për të bindur veten për Mini-Shengenin.
Sidoqoftë, kjo përpjekjeje e pa suksesshme, përçoi 4 mesazhe për Kosovën.
1. POLITIKANËT E KOSOVËS JANË SHEKULLIT TË KALUAR
Rama i sotëm ishte disa galaktika larg prej Rames para disa vitesh kur ishte simpatik, frymëzues dhe elokuent. Sot ai u shfaq i frustruar, apatik dhe cinik. Në veçanti ndaj Kosovës.
Rama nuk kursej kualifikimet denigruese për të gjithë liderët e Kosovës. Nga të paditur e gënjeshtar, patriota fallco të Facebook-ut, hipokrit e deri tek neo-marksist.
Ishte impresionuese se si Rama dhe Vuçiq kishin zgjedhur fjalor identik për të përshkruar liderët e Kosovës. Të dytë i cilësuan ata: “të shekullit të kaluar”.
2. KOSOVA: SHTET PROBLEMATIK
Përkundër, deficitit politik dhe konceptual të Mini-Shengenit, kjo iniciativë sidoqoftë bëri një arritje sot – arriti të cilësoj Kosovën shtet problematik, i cili nuk e do bashkëpunimin dhe paqen.
Serbia, nga ana tjetër: flamurtari i bashkëpunimit – vend i paqes, harmonisë dhe vizionit për një të ardhme të ndritur për Ballkanin.
3. KËRKIM FALJA PËR KRIME ËSHTË PATETIKE
Në një shkëmbin rasti me një gazetare, Kryeministri Rama nuk arriti të përmbaj Edi Ramen. Në pyetjen e gazetares rreth refuzimit të Serbisë për të marr përgjegjësi për krimet e saja, Rama e cilësoj këtë pyetje patetike.
Me fjalë të tjera, gjenocidi dhe krimet e luftës në Bosnje, dhe Kosovë, janë çështje patetike.
SHBA dhe BE kanë dënuar paaftësinë e Serbisë për tu pajtuar me faktet historike dhe përgjegjësinë e saj për krimet e bëra. Ndërsa, Rama sot zgjodhi të prek pikën më të ulët në karrierën e tij – ai doli në mbrojtje të krimeve më të rënda të Serbisë.
Është më të vërtet mister i jashtëzakonshëm përse shkoj kaq larg Rama në mbrojtje të Serbisë. E kuptoj se ai mundohet të portretizoj vetën si promovues i paqes, progresit dhe shikimit drejt së ardhmes. Por, përderisa është i zënë me degradimin e demokracisë dhe mediave në Tiranë, përse e bënë një mbrojtje aq agresive Serbisë, sa që e bënë edhe Vuçiqin të duket shumë më i moderuar?
Sidoqoftë, pasi që cilësoj kërkim faljen për krimet si çështje patetike, pjesën e mbetur kohës Rama investoj, pa sukses, për të bindur vetën se Mini-Shengeni është mrekulli.
4. MINI-SHENGENI ËSHTË MREKULLI
Rama dhe Vuçiq kanë kuptuar se BE-ja nuk do lejoj pushtetin e tyre – i cili çdo ditë po rrënon demokracinë e vendeve respektive, dhe po shkon drejt krijimit të autokracive.
Tani ata janë bashkuar në minimin e idesë së integrimit të rajonit në BE dhe në këtë drejtim duan të tregojnë dhëmbët fuqive perëndimore.
Në këtë drejtim, Rama dhe Vuçiq kanë pasur mesazhet jashtëzakonisht të sinkronizuara.
Të dytë folën për nevojën që rajonit të merr fatin në duar të veta, dhe të mos e presim një BE e cila ka probleme. Prandaj, presto, Mini-Shengeni është zgjidhja.
Vuçiqi tha: “Kjo që po bëjmë këtu varet nga ne dhe jo nga fuqitë e mëdha.”
Këtu, Vuçiqi hapi dritaren në mendësinë e tij. Me fjalë të tjera, Vuçiq nuk dëshiron një rajon ku fuqitë e mëdha kanë ndikim. Ai e kupton se SHBA-të dhe BE-ja nuk do lejojnë shovinizmin e tij. Ai e do një hapësirë ndikimi ku Serbia (dhe lindja) është entitet më i fuqishëm politik dhe ekonomik.
Me iniciativën e Mini-Shengenit, Rama ka arritur diçka të pa precedent në marrëdhëniet e Kosovës dhe Shqipërisë. Si asnjëherë më parë, Shqipëria po merr hapat në dëm të Kosovës. Si asnjëherë më parë, Rama dhe Vuçiq janë shumë më të koordinuar se sa Rama dhe Thaçi/Haradinaj/Kurti.
Para disa vitesh, Berisha kishte thënë: “Kosova, në 130 vitet e fundit, ka qenë gjithnjë djepi i lëvizjeve të mëdha kombëtare emancipuese të kombit shqiptar, i Lidhjes së Prizrenit dhe kryengritjeve të mëdha që sollën Pavarësinë e Shqipërisë. Por, Kosova e lirë dhe e pavarur, është faqja më e ndritur në historinë e kombit është kryevepra e tij politike më madhështore që nga koha e Skënderbeut, gjer ne ditët e sotme. Qeveria shqiptare është totalisht e angazhuar në promovimin dhe lotimin tek qeveritë e vendeve tjera të rëndësisë që ka njohja e pavarësisë së Kosovës për paqen dhe stabilitetin në rajonin tonë.”
Sali Berisha ka bërë shumë gjëra gabim, por sot reflektoi me vlerësim më të lartë për kontributin dhe veprimet e tij për shtetin e Kosovës.