Qeveria e Kosovës ka ndarë katër milionë euro për pagat e minatorëve të Trepçës, të cilët nuk janë paguar që tre muaj, raporton Ekonomia Online.
Kryeministri Albin Kurti, në mbledhjen e Qeverisë të mërkurën, tha se ky vendim është bërë për ta mbështetur ndërmarrjen publike, e cila nuk ka arritur t’i sigurojë pagat nga xehet e nxjerra.
Kryeministri madje tha se Trepça ka “tepër shumë punëtorë mbi tokë për xehet e pakta të nxjerra nga nëntoka”.
“Për ndërmarrjen publike Trepça do të ndajmë katër milionë euro dedikuar për mbështetje të Trepcës, në mënyrë që të tejkalohet kriza aktuale ku ndërmarrja nuk ka arritur të sigurojë pagat nga xehet e nxjerra. Duket se ka tepër shumë punëtorë mbi tokë për xehet e pakta të nxjerra nga nëntoka”, u shpreh Kurti.