Më 4 prill të këtij viti, Kuvendi i Republikës së Kosovës, me 71 vota për, zgjodhi Presidente të Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, për mandatin pesë vjeçar. Që nga ajo ditë e deri më tani, presidentja Osmani ka zhvilluar disa vizita zyrtare jashtë vendit. Në këto 4 vizita jashtë shtetit, Osmani shpenzoi saktësisht 3 mijë e 397 euro e 95 cent.
Gazeta Online “Reporteri.net” ka siguruar qasje në faturat e shpenzimeve të Vjosa Osmanit dhe kabinetit të saj, përmes kërkesës për qasje në dokumente publike.
Osmani në vizitën e saj të parë në Slloveni, e cila qëndroi nga 16 deri më 18 maj, harxhoi nga buxheti i shtetit plotë 1 mijë e 52 euro, duke përfshirë akomodimin, drekat, darkat dhe për bileta.
Ndërkaq, në vizitën e saj në Estoni, për periudhën 9-11 Qershor, ajo shpenzoi më pak se nga vizita paraprake. Pra, vetëm 868 euro duke përfshirë biletat, ushqimin, akomodimin dhe testin e bërë kundër COVID-19.
Dyfishimi i harxhimeve krahasuar me Turqinë ndodhi kur shefja e shtetit e vizitoi Austrinë, pasi atje shpenzoi 984 euro e 79 cent.
Mes tjerash, Stafi i Presidencës në një përgjigje për Gazetën Online “Reporteri.net” ka njoftuar se janë zhvilluar deri më tani 5 aktivitete (dreka, darka dhe koktej), duke bërë që buxhetit të Kosovës t’i harxhohen 1 mijë e 587 euro në dreka dhe darka zyrtare, përfshirë këtu edhe para për koktej.
Po ashtu, është bërë e ditur se 500 euro ka kushtuar shfrytëzimi i amfiteatrit të Gërmisë në rastin e ceremonies së Lojërave Olimpike. Pra, në total janë shpenzuar 2 mijë e 187 euro për kësi lloj harxhimesh.
I tërë kabineti i Presidentes Osmani për 120 ditë, ka shpenzuar 1 mijë e 123 euro e 82 cent për derivate apo 1 mijë e 96 litra në veturat zyrtare.