40 dështime të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës

Prishtinë | 01 Kor 2025 | 14:32 | Nga Ekonomia Online

Deputetët dështuan për të 40-tën herë me radhë të konstituojnë Kuvendin e Kosovës, të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit, raporton Ekonomia Online.

Ishte kjo hera e tretë që dështoi konstitutimi i Kuvendit që nga shpallja e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese që obligon deputetët që brenda 30 ditësh (deri më 26 korrik) të konstituojnë Kuvendin.

PDK-ja, LDK-ja , AAK-ja, Nisma Socialdemokrate dhe Lista Serbe refuzuan sërish që të propozojnë anëtarë të një komisioni që do të mbikëqyrte votimin e fshehtë për kryetarin e Kuvendit, kërkesë kjo e Lëvizjes Vetëvendosje.

Këto parti thonë se ndryshimi i votimit nga i hapur në të fshehtë është jokushtetues.

PDK-ja dhe LDK-ja kërkuan nga kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, që të respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese

“Vetëm propozime për Komision. Asgjë tjetër”, tha Dehari.

Megjithëkëtë, deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, ndërhyri.

“Ne kemi për propozim për Komision, e propozojmë Albin Kurtin”, tha ajo.

Haxhiu: Vetëvendosje merr pjesë në takimin e nesërm të thirrur nga presidentja

E propozuara e Vetëvendosjes për kryetare të Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, pohoi se Vetëvendosje do të marrë pjesë në takimin e nesërm të partive politike, të ftuara nga presidentja Vjosa Osmani, raporton Ekonomia Online.

“Ne jemi të gatshëm që të marrim pjesë në takimet e radhës, të ftuara nga presidentja Osmani. Nuk përjashtojmë asnjëherë të këtë takime që ftohen edhe nga kryetari Kurti. Është e pakuptimtë të shkosh në takim dhe të mos bësh asnjë lëvizje, për sa kohë ne kemi bërë lëvizje”, tha ajo.

Krasniqi: Nesër do të jem në takim te presidentja, kemi kërkuar qysh herët që të involvohet

Deputeti i PDK-së, Memli Krasniqi, konfirmoi pjesëmarrjen në takimin e nesërme me parti politike, të thirrur nga presidentja, Vjosa Osmani, raporton Ekonomia Online.

“Kam pranuar ftesë. Nesër është takimi dhe unë do të jem aty. Qëndrimi që e kemi pasur gjithmonë.

Ne ka dy- tre muaj që po mundohemi që të gjejmë zgjidhje për të ofruar kompromise për të dalë nga kjo situatë. Nesër do të jem te presidentja.

Ne kemi pasur kërkesë qysh herët që presidentja të involvohet”, tha Krasniqi.

Zemaj: Vetëvendosje injoron vendimin e Kushtetueses me tendencën që të vazhdojë ky ngërç politik

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, kërkoi nga kryesuesi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari, që të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Ai kritikoi shumicën parlamentare të VV-së për injorimin e këtij vendimi dhe pamundësimin e votimit për kryetarin e Kuvendit, raporton Ekonomia Online.

Zemaj e cilësoi situatën si shkelje të vazhdueshme kushtetuese dhe papërgjegjësi që po thellon ngërçin politik në vend.

“E patë edhe sot ‘injorancën’ e shumicës së parlamentare të VV-së për të mos lejuar respektimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe për të mos krijuar mundësinë e votimit të kandidatit për kryetar të Kuvendit. Kjo është shkelje në vazhdimësi, shkelje kushtetuese dhe është papërgjegjësi e madhe se çka po ndodh me kapjen e institucioneve me tendencën që të vazhdojë ky ngërç politik”, tha Zemaj.

Kadrijaj: AAK-ja do t’i përgjigjet pozitivisht ftesës për takim te presidentja

Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, konfirmoi se AAK-ja do të marrë pjesë në takimin e partive politike të thirrur nga presidentja Vjosa Osmani, raporton Ekonomia Online.
Ajo kërkoi që presidentja të ketë rol më aktiv.

“Tash e lexova që ka ardhur ftesa për liderët e partive politike për takim me presidenten. Duhet të marrë rol më shumë presidentja, por duhet të jetë tepër e qartë dhe e saktë, sepse ne po e shohim që VV po e interpreton aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese ashtu siç do vetë. Po, do t’i përgjigjemi ftesës”, tha Kadrijaj.

Të ngjashme