Kandidatët, të cilët e synojnë pozitën e mësimdhënësit në shkollat e komunës së Ferizajt, nuk kanë nevojë t’i nënshtrohen asnjë kriteri ligjor për pranim.
Madje, as konkurset publike nuk kryejnë punë, raporton “Zeri.info”.
40 mësimdhënës janë punësuar në shkollat e komunës së Ferizajt, pa pasur nevojë t’i nënshtrohen asnjë kriteri të vetëm për pranim.
Në kohën, sa komunën e drejtonte, Muharrem Svarqa kërkesat ligjore në raste të konkurseve publike duket se anashkaloheshin tërësisht.
Të paktën kështu po i referohet auditori gjetjeve që ka bërë në këtë komunë.
Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), gjatë monitorimit të komunës së Ferizajt ka gjetur se janë punësuar 40 mësimdhënës në arsim, pa shpallje të vetme publike, raporton Zëri.Info.
“Komuna kishte punësuar 40 mësimdhënës në arsim pa procedura të rekrutimit (pa shpallje publike), duke anashkaluar plotësisht kërkesat ligjore. Punësimi i tyre ishte bërë me vendim të Kryetarit i cili ishte bazuar në rekomandimin e Drejtorit i Arsimit”, thuhet në raportin e (ZKA)-së.
Ndonëse, me Ligjin e Punës të cilit i referohet auditori bëhet e ditur qartë se punëdhënësi në sektorin publik, është i obliguar që të shpall konkurs publik sa herë që pranon një punëmarrës dhe themelon një marrëdhënie të punës, komuna nuk e kishte marrë për bazë ligjin në këtë rast, raporton “Zëri”.
“Konkursi duhet të jetë i barabartë për të gjithë kandidatët e synuar, pa asnjë lloj diskriminimi, ashtu siç parashihet me këtë ligj dhe aktet tjera në fuqi”, theksohet tutje.
Me punësime të tilla, pa procedura të rekrutimit, auditori po alarmon se shtohet rreziku për përzgjedhjen e kandidatëve pa shkathtësitë dhe përvojat e duhura profesionale.
Madje, me konkurse të tilla sipas ZKA-së, nuk sigurohet konkurrencë e as transparencë.
Për këtë shkelje të evidentuar, auditori ka dhënë një rekomandim.
“Kryetari duhet të sigurojë se janë ndërmarrë veprime të menjëhershme për ta shqyrtuar këtë proces të punësimit, si dhe të sigurojë kontrolle efektive në mënyrë që proceset e rekrutimit të bëhen në përputhje të plotë me kërkesat e ligjit të punës”.