Për 20 vjet, Zvicra ka ndihmuar azilkërkuesit të cilët zgjedhin të kthehen në vendet e tyre të origjinës. Qeveria zvicerane beson që dhënia e parave dhe këshillave për njerëzit për t’u kthyer në shtëpi, është pjesë përbërëse e një politike të besueshme të azilit, shkruan swissinfo.ch, një shkrim i realizuar së bashku me SRF.
Për qeverinë zvicerane, programi i riatdhesimit të Zvicrës është një histori suksesi, përcjell albinfo.ch.
Sipas qeverisë, kjo lloj ndihme i kushton Zvicrës më pak se mbajtja e azilkërkuesve në Zvicër. Në shumë raste, azilkërkuesit që kthehen marrin të holla në aeroport. Ata marrin para për udhëtimin, si dhe ndihma financiare për një fillim të ri në vendin e tyre.
Gjithashtu edhe programi i këshillimit është i veçantë, sepse ndihmon njerëzit kur të kthehen, duke u bërë me dije se gjasat për azil janë të vogla.
Që nga viti 1997, mbi 90 mijë azilkërkues janë kthyer vullnetarisht në vendet e tyre të origjinës. Grupi më i madh është nga Kosova, 40 mijë, duke u pasuar nga Bosnja Hercegovina me dhjetë mijë. Gjatë pesë viteve të fundit, 230 persona në muaj nga mbi 60 vende kanë përdorur ndihmën e riatdhesimit.