Në Gjykatën Themelore të Prizrenit për një vit kundër Komunës janë pranuar 40 padi lidhur me pagat jubilare dhe shujtat ditore.
Zyrtarët e kësaj gjykate kanë bërë të ditur se gjatë vitit 2020 janë evidentuar mbi 700 lëndë për shujta ditore dhe mbi 100 lëndë për paga jubilare në procedurën përmbarimore ndaj Komunës së Prizrenit, përkatësisht ndaj Drejtorisë së Arsimit dhe Drejtorisë së Shëndetësisë. Siç ka bërë të ditur zëdhënësi i kësaj gjykate, Marcel Lekaj, për paga jubilare janë evidentuar 113 lëndë, ndërsa për shujta ditore 714 lëndë.
Ndërsa autoritetet komunale të Prizrenit kanë bërë të ditur se po përballen me vështirësi sa i përket përmbushjes së obligimeve të përshkruara në Kontratën Kolektive të Arsimit, veçanërisht lidhur me pagesën e shtesave, pagave jubilare e përcjellëse si dhe të shujtave ushqimore për mësimdhënësit. Drejtuesit e Komunës në forume të ndryshme kanë adresuar shqetësimin se niveli qendror në të shkuarën ka lidhur marrëveshje me Sindikatën e Arsimit për këto pagesa, dhe se nivelit komunal nuk i janë ofruar kodet buxhetore për realizimin e pagesave. Sipas tyre, një gjë e tillë po e dëmton buxhetin e Komunës, meqë mësimdhënësit po i drejtohen gjykatave, dhe se me vendime gjyqësore këto pagesa po ekzekutohen nga fondet e Komunës.
Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka këtë çështje javë më parë e ka diskutuar edhe me ekspertët e Bankës Botërore, gjatë një takimi ku është biseduar lidhur me rishikimin e financimit të arsimit në komunat e Kosovës. Në mesin e sfidave, Haskuka ka përmendur obligimet që i janë bartur komunës me Kontratën Kolektive të Arsimit.
“Një çështje tjetër që e kemi ngritur gjatë këtij takimi janë marrëveshjet që po i bëjnë qeveritë me sindikatat, për të cilët më pas nuk i alokojnë mjetet por edhe kodet buxhetore për pagesa. Kështu ishin marrëveshjet e qeverive të kaluara me SBASHK-un, ku parashiheshin pagesat e pagave jubilare, pagat shtesë dhe pagesat e shujtave ushqimore, e në anën tjetër nuk ofruan kode buxhetore për realizmin e këtyre pagesave dhe në fund, gjykatat vendosin që këto pagesa të paguhen nga fondet e Komunës, gjë që e dëmton buxhetin”, ka theksuar Haskuka.
Në anën tjetër anëtarët e Kuvendit të Komunës së Prizrenit nga radhët e partive opozitare gjatë seancave të rregullta kanë kërkuar nga ekzekutivi komunal që t’i paguajë shujtat e pagat jubilare të mësimdhënësve, në mënyrë që punonjësit e arsimit mos të jenë të detyruar që këto t’i kërkojnë përmes gjykatave.
Këshilltarja Agnesa Sinanaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka propozuar që Komuna me mekanizmat e saj të intervenojë dhe t’i shmangë procedurat gjyqësore për pagesat ndaj mësimdhënësve. Sipas saj, në vend se mjetet buxhetore të shkojnë në suficit është më mirë që të kryhen obligime ndaj mësimdhënësve, pa i munduar ata.
“Mësimdhënësit edhe ashtu të drejtën e tyre do ta realizojnë. Atëherë pse ka nevojë që kjo çështje të shkojë nëpër gjykatë, dhe që Komuna nga buxheti i saj, pos shumës së paraparë gjithashtu të paguajë ekstra edhe shpenzime për përmbaruesit”, është shprehur ajo.
Sadije Osaj-Jakupi nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka kërkuar që pagesat të bëhen për të gjithë mësimdhënësit, pa bërë dallime mes shkollave.
Ndërsa Sherife Balaj nga Partia Demokratike e Kosovës ka shprehur qëndrimin se mësimdhënësit janë të detyruar që pagesat për shujta e paga jubilare t’i realizojnë përmes padive përkatësisht përmbaruesve, që paraqet barrë si për mësimdhënësit ashtu edhe për buxhetin e Komunës.
Edhe Fatmir Kastrati i AAK-së ka kërkuar që organet komunale të veprojnë dhe ta zgjidhin këtë çështje me Ministrinë e Arsimit, në mënyrë që mësimdhënësit për pagesat e shujtës dhe të pagës jubilare mos të sorollatën nëpër zyrat e avokatëve, apo gjykata e përmbarues. “Mësimdhënësit duhet t’i marrin ato mjete që ju takojnë”, ka thënë ai.
Para anëtarëve të Kuvendit të Komunës, Haskuka ka sqaruar se për këtë çështje i është drejtuar me shkrim secilit ministër të Arsimit.
“Ju kam thënë, ju po bëni marrëveshje me SBASHK-un edhe po ia leni barrën komunave të paguajë. Në të njëjtën kohë nuk po na jepni kode buxhetore si t’i paguajmë shujtat, pagat jubilare. Çdo ministri i kam shkruar, edhe në Qeverinë Kurti, kur ministre e Arsimit ka qenë Hykmete Bajrami, që të na lejojnë kodet si t’i paguajmë këto, sepse mësimdhënësit po shkojnë te përmbaruesi dhe pastaj po dëmtohemi, jo vetëm me shifrën që duhet ta paguajmë, por po duhet edhe 20 për qind përmbaruesin me i marrë. Por nuk na e kanë mundësuar këtë”, ka thënë Haskuka.
Kontrata Kolektive e Arsimit e nënshkruar nga MASHT-i dhe SBASHK-u, në prill të vitit 2017 përveç tjerash parasheh të drejtën e shtesës për përvojë në punë për të punësuarit në institucionet arsimore, pastaj kompensimin për ushqim gjatë punës, shpenzimet e rrugës respektivisht 70% të biletave të trafikut urban, po ashtu shpërblimin jubilar në vitet jubilare të punësimit, sikurse edhe pagesë përcjellëse për mësimdhënësit që dalin në pension./Koha.net