Denoncimi për një rrahje brutale që ndodhi sot në orët mëngjesit në Prishtinë ka vënë në lëvizje disa njësi policore derisa i dyshuari ra në prangat e Policisë. Rasti ka ndodhur në rrugën “Bill Clinton” , ku një 27-vjeçare është sulmuar deri në alivanosje nga miku i saj me të cilin ndodheshin në të njëjtën veturë.
Burimet nga Emergjenca kanë bërë me dije se vajza është pranuar në këtë qendër me lëndime të rënda dhe në gjendje jo të mirë, si pasojë e goditjeve që ka pësuar nga i dyshuari G.B., 40-vjeçar. Ky i fundit po dyshohet se fillimisht e kishte nxjerrë nga vetura, e më pas e ka grushtuar e shqelmuar derisa viktima është alivanosur.
Ky rast i tmerrshëm ka ndodhur pas orës 04:00 të mëngjesit, derisa dy palët ndodheshin në të njëjtën veturë dhe patën një zënkë mes tyre, që eskaloi në dhunë brutale. Siç mëson Sinjali, pasi i dyshuari e kishte rrahur keq 27-vjeçaren, ishte larguar nga vendi i ngjarjes, por përkundër tentativave, nuk arriti t’iu shpëtojë prangave të Policisë.
Viktima u dërgua në spital për trajtim mjekësor, kurse Policia iu vu në ndjekje të dyshuarit, të cilin e kapi pas një periudhe të shkurtër, me ç’rast u kuptua se i njëjti ishte nën ndikimin e alkoolit. Burimet thonë se ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor për veprën penale “Lëndim i rëndë trupor”.