400 mijë euro borxh i kanë Ujësjellësit Rajonal Prishtina 325 shtëpi të fshatit Uglar që ndodhet pranë Fushë Kosovës, por i përket Komunës së Graçanicës.
Ujësjellësi përmes një komunikate për media thotë se e nisi vitin 2018 me moton “Të gjithë në aksion”, ku synon ndëshkimin e konsumatorëve borxhlinj, raporton TV Arta.
Si masë e parë ndëshkuese, është shkyçja nga sistemi i rrjetit të ujësjellësit, pasuar nga ndëshkime të tjera. 50 ekipe për shkyqje i ka shpërndarë ujësjellësi në 8 komunat në të cilat operon si Prishtina, Fushë Kosova, Obiliqi, Podujeva, Shtimja, Drenasi, Lipjani dhe Graçanica, me fshatra përreth.
“Brenda dy muajve janë aplikuar mbi 350 shkyçje individuale nga sistemi i rrjetit të ujësjellësit, janë vizituar mbi 1500 konsumatorë borxhlinj dhe mbi 600 lëndë janë dërguar te përmbaruesit privat”, thuhet në komunikatën e ujësjellësit.