406 zyrtarë të punësuar në pozita të larta kanë lidhje me partitë politike

Prishtinë | 13 Dhj 2017 | 13:12 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Organizata “Çohu” dhe Qendra Kosovare për Gazetari Hulumtuese-Preportr, kanë prezantuar  hulumtimin mbi punësimet e zyrtarëve në pozita të larta vendimmarrëse të cilët kanë lidhje me partitë politike.

Në bazë të të gjeturave partitë politike janë bërë dera kryesore e mundësisë për punësim që nga pozitat e ulëta e deri te ato më të lartat.

Arton Demhasaj nga Çaohu, tha se është krijuar një praktikë që sapo një parti vjen në pushtet fillon ç‘kapjen e institucioneve nga partia parapake, duke i kapur ato për militantët e vet.

Sipas tij, në kuadër të të gjeturave dëshmohet se vëllimi i punësimeve në institucione publike i individëve me përkatësi partiake është në proporcion të drejtë me fuqinë që partia apo koalicioni qeverisës ka në pushtetin qendror

Vetëm në vitet 2015 dhe 2016, 116 zyrtarë publikë të punësuar në pozita të larta vendimmarrëse në institucionet publike kanë lidhje me partitë politike. Për periudhën 2010-2016, ky numër arrin në 406.

Në vitet 2015 dhe 2016 janë 116 zyrtarë të lartë që janë punësuar në këtë periudhë kohore dhe që kanë lidhje me partitë politike. Prej tyre 91 zyrtarë  punojnë ende në këto pozita.

Nga 116 zyrtarë të lartpërmendur, LDK prinë me 48 zyrtarë, pasuar nga PDK me 42, AAK me 8, AKR me 7, LVV me 5, SKS me 2 dhe NISMA, Lëvizja për Bashkim, KDTP, VAKAT me nga një zyrtar.

Nga numri total prej 116 zyrtarëve që janë evidentuar se janë punësuar në vitin 2015 dhe 2016, rezulton se 61 prej tyre janë të punësuar nëpër ministri.

Lidhjet e tyre me partitë politike janë si vijon: 23 kanë lidhje politike me PDK-në, 22 me LDK-në, 7 me AAK-në, 6 me AKR-në ndërsa nga një zyrtar kanë lidhje me NISMA, LVV dhe LB.

Zyrtarët që i përmendëm më lartë që kanë lidhje me partitë politike janë të punësuar në pozita të ndryshme hierarkike nëpër ministri, prej pozitës së drejtorëve (18), sekretarëve të përgjithshëm, krye shefave e deri të udhëheqësit e departamenteve.

Në periudhën 2015-2016 në ndërmarrjet publike janë punësuar 35 zyrtarë të lartë që kanë lidhje me partitë politike. Nga këta 35 zyrtarë 14 kanë lidhje me LDK, 13 me PDK, 4 me LVV, 2 me SKS, një me AAK dhe një me AKR.

Sipas hulumtimit për këtë periudhë, 19 zyrtarë të lartë punojnë në institucione të pavarura kanë lidhje me partitë politike. Nga ta, 12 kanë lidhje me LDK, 5 me PDK, një me VAKAT dhe një me KDPT.

Nga hulumtimi është treguar se vetëm brenda viteve gusht 2007-2014 janë shpërndarë rreth 220 milionë euro tek financuesit e partive politike.

Në periudhën kohore 2015 dhe 2016, vërehet një rritje e madhe numrit të atyre që kanë marrë pozita udhëheqëse në universitetet publike janë punësuar 32 zyrtarë. Nga ky numër i zyrtarëve rezulton se 12 kanë lidhje politike me PDK, 9 me LDK, 5 me AKR, 4 me AAK, 1 me NISMA dhe 1 me LVV.

Në këto fakultete, janë hulumtuar gjithsej 374 profesorë, ndër të cilët 50 figurojnë të kenë lidhje direkte me partitë politike apo shprehur në përqindje, 13.36 % e tyre, përqindje kjo që tregon se nuk bëhet fjalë për koincidencë, por ka politizim të thellë, veçmas kur ia shtojmë faktin se këto të dhëna janë vetëm për katër fakultete të UP-së.

Të dhënat e hulumtimit tregojnë se nga 54 profesorët që i ka Fakulteti Filozofik, 14 nga ta kanë bartur apo bartin funksione politike, ndër të cilët 9 janë nga PDK, 2 nga AKR, 1 nga LDK, 1 nga Vetëvendosje dhe 1 nga-ish Partia Reformiste ORA, megjithëse në zanatin e ri, atë të politikanëve, disa profesorë kanë ndërruar partitë politike më shumë sesa një herë.

Në Fakultetin Juridik, nga 71 profesorë që ka ky institucion, 11 prej tyre kanë qenë apo janë aktiv në politikë, të cilët politikisht janë të kësaj përbërje: 6 nga PDK dhe 5 nga LDK.

Në Fakultetin Ekonomik, nga gjithsej 66 profesorë që ka ky fakultet, figurojnë 18 profesorë që ndër vite zanatin primarë e kanë pasur politikën. Nga ta, 10 vijnë nga LDK, 7 nga PDK, dhe një nga Vetëvendosje!

Në Fakultetin e Mjekësisë, gjendja qëndron ndryshe, nga 183 profesorë që janë gjithsej, 7 nga ta kanë ndarë fatin e politikës me kolegët e lartshënuar. Nga ta, 3 vijnë nga PDK, 1 nga LDK, 1 nga AAK, 1 nga AKR dhe 1 nga Vetëvendosje.

 

Të ngjashme