Që nga koha kur është lëshuar për qarkullim ka marrë mbi 40’të njerëzish. Sipas Policisë, shkaktari kryesor i aksidenteve në autostradën “Ibrahim Rugova”, është mos përshtatja e shpejtësisë me kushtet e rrugës. Rasti i fundit është vdekja e dy konduktorëve të agjencisë “Sharr Travel”, raporton Express.
Arianit Bytyqi dhe Gentrit Gallopeni janë dy të rinjtë që humbën jetën në autostradën “Ibrahim Rugova”, në orët e para të mëngjesit të së shtunës.
Ata gjetën vdekjen në urën e njëmbëdhjetë të kësaj autostrade, gjegjësisht në segmentin Duhël – Suharekë, derisa provuan që të kalojnë hapësirën 3 metërshe që ndan autostradën.
“Në momentin që kanë kaluar mburojën e trasesë së parë të autostradës dhe duke tentuar të kalojnë në trasenë tjetër kanë rënë në humnere pasi që hapësira në mes dy traseve është afër 3m. Viktimat kanë qenë punëtor të kompanisë së udhëtimeve ( konduktor)”, njoftoi Policia, të shtunën.
Lidhur me këtë rast, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka konstatuar se dy të rinjtë vdiqën pasi dolën nga autobusi i ndalur jashtëligjshëm në autostradë.
“Pas konsultimeve me Prokurorinë e Krimeve të Rënda është konstatuar se si pasoje e ndaljes se autobusëve në autostradë e qe bie në kundërshtim me ligjet në fuqi kanë shkaktuar rrezik të përgjithshëm me pasoje vdekjen pasi që dy viktimat kanë dal nga autobusët”, thuhej në njoftimin e Policisë.
Por, Arianiti e Gentriti nuk janë të vetmit që gjetën vdekjen në këtë autostradë. Që nga koha kur është lëshuar për qarkullim në 2013’ën, kjo autostradë ka marrë dhjetëra jetë njerëzish.
Vetëm në gjashtë vitet e fundit aty e kanë gjetur vdekjen 44 qytetarë nga i gjithë vendi.
Sipas statistikave që ka siguruar Gazeta Express që nga 2013’ta në këtë autostradë kanë ndodhur mbi 2 mijë e 200 aksidente, një numër jo i vogël prej të cilave kanë përfunduar me fatalitet dhe persona të lënduar.
Përveç aksidenteve me fatalitet e të lënduar, një numër goxha i lartë i aksidenteve kanë përfunduar edhe me dëme materiale. Numri i këtyre të fundin shkon në mbi 1 mijë e 400.
Në bazë të statistikave të Policisë së Kosovës, viti me më së shumti aksidente në këtë autostradë po del të ketë qenë 2018’ta me 500 aksidente, derisa 2017’ta vazhdon të mbetet viti më fatal.
Ndërkohë, arsyet kryesore pse ndodhin këto aksidente po del të jenë mos përshtatja e shpejtësisë me kushtet e rrugës dhe mos mbajtja e distancës.
“Shkaktarët me të shpeshtë të aksidenteve në Autostradë janë :Mos përshtatja e shpejtësisë me kushtet e rrugës, mos mbajtja e distancës, ndërrimi i shiritit te trafikut ne mënyre te pasigurt dhe manipulim i pasigurte me automjete”, thuhet në përgjigjet e Policisë së Kosovës drejtuar Gazetës Express.
Ndryshe, për të evituar aksidentet në trafik, Policia e Kosovës para një viti kishte marrë masa shtesë me krijimin e TASK-FORCË-s, përmes së cilës ishte bërë shtimi i prezencës së njësiteve policore në trafik në të gjitha akset rrugore, për realizimin e planifikimeve policore duke aplikuar masën zero-tolerancë ndaj gjithë kundërvajtësve në trafik.
“Vlen të potencohet se aplikimi i masës zero-tolerancë ndaj gjithë kundërvajtësve në trafik, ka shtuar edhe numrin e shqiptimit të gjobave në trafik ku gjatë 24 orëve të fundit janë shqiptuar 2218 gjoba për kundërvajtje të ndryshme, duke përfshirë edhe për tejkalimin e shpejtësisë e që është njëri prej shkaktarëve kyç të aksidenteve me pasoja fatale’, thuhej në njoftimin e Policisë.
Nga ky institucion kishin apeluar tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik, e posaçërisht te shoferët e automjeteve, që të respektojnë shenjat e trafikut, t’u përshtaten kushteve të rrugës dhe shpejtësisë së lejuar, në mënyrë që të gjithë së bashku të kontribuojmë për një siguri më të madhe në trafik./Gazeta Express