SHBA-ja kërkon pezullimin e menjëhershëm të taksës, e fton Kosovën ta vlerësojë rëndësinë e raporteve me Washingtonin

Prishtinë | 31 Jan 2019 | 18:54 | Nga Ekonomia Online

SHBA-ja kërkon pezullimin e menjëhershëm të taksës, e fton Kosovën ta vlerësojë rëndësinë e raporteve me Washingtonin

Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kërkojnë qeverisë pezullimin e taksës sa më shpejt dhe jo heqjen e saj.

Në një intervistë për emisionin Interaktiv në KTV, ambasadori amerikan, Philip Kosnett, ka thënë se nëse kjo nuk ndodh, do të dëmtohen interesat e Kosovës dhe të SHBA-së.

“Ne kemi rezistuar të japim ndonjë ultimatum. Ne nuk duam ta diktojmë punën e Qeverisë së Kosovës. Ne besojmë fuqimisht që pezullimi i përkohshëm i taksës sa më shpejt që është e mundur, do ta ndihmojë ecjen përpara të procesit. Nëse kjo nuk ndodh, ka rrezik të humbjes komplete të momentumit, që do të jetë shumë e dëmshme për popullin e Kosovës e atë të Serbisë dhe do të jetë e dëmshme edhe për SHBA-në e Bashkimin Evropian. Çështja nuk është nëse Kosova ka të drejtë ta vendosë tarifën, por pyetja është nëse është vendim i mirë për Kosovën dhe SHBA-në”, thotë Kosnett.

Ai ka përjashtuar mundësinë e ndonjë sanksioni ekonomik ndaj Kosovës, por ka thënë se i mbetet lidershipit kosovar të vlerësojë nëse dëshiron ta ruajë miqësinë me Amerikën.

“Pak para se të vija këtu, lexova raporte që thoshin se SHBA-ja do të vendosë sanksione ekonomike ndaj Kosovës. Dua t’i siguroj qytetarët e Kosovës që kjo nuk është e vërtetë. Kjo nuk është mënyra se si ne veprojmë me një shtet mik si Kosova. Ajo çka kërkojmë nga Kosova është që te ketë lidership të guximshëm për të marrë vendime”, tha Kosnett.

“Nëse Kosova mban politika që ia vështirësojnë ose ia bëjnë të pamundur ecjen përpara për të ndërtuar paqe, prosperitet dhe drejtësi në Ballkan, SHBA-ja do të jetë e shqetësuar nga kjo, do të jetë thellësisht e zhgënjyer me këtë. Fola më herët për bashkëpunimin e ngushtë ndërmjet SHBA-së dhe Kosovës për zhvillimin ekonomik, për sigurinë. Është e paevitueshme që Kosova dhe SHBA-ja duhet të punojnë së bashku për ta ruajtur këtë marrëdhënie. Është sikur martesë, kur ju duhet të respektoni nevojat edhe perspektivën e njëri –tjetrit . Kam dëgjuar disa zyrtarë të Kosovës të thonë se Kosovës nuk i duhet më SHBA-ja. Paj, nuk mendoj se kështu mendojnë qytetarët e Kosovës. Mendoj se populli i Kosovës nuk pajtohet me këtë. Populli i Kosovës dëshiron që të mbajë raport të afërt me SHBA-në. Nëse Kosova vendos që kjo nuk është e rëndësishme, do të shohim se çfarë do të ndodhë në të ardhmen”, shton Kosnett.

https://video.gjirafa.com/ekskluzive-shba-ja-kerkon-pezullimin-e-menjehershem-te-takses-e-fton-kosoven-ta-vleresoje-rendesine-e-raporteve-me-washingtonin
Fjalë Kryesore:

Të ngjashme