45% e fëmijëve shikojnë pamje me përmbajtje pornografike

Prishtinë | 29 Tet 2018 | 11:43 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione ka mbajtur dëgjim publik lidhur me Projektligjin për Mbrojtjen e Fëmijës. Aty u tha se 45% e fëmijëve që vizitojnë internet-kafetë shikojnë pamje jo të mira me përmbajtje pornografike.

Agron Gashi, nga zyra ligjore e kryeministrit, e vlerësoi Projektligjin për mbrojtjen e fëmijëve dhe tha se ky projektligj është i bazuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

“Projektligji për mbrojtjen e fëmijëve është bërë duke u bazuar në Kushtetutën e Kosovës dhe Konventën e të Drejtave të Fëmijëve, është përgatitur nga Zyra e Kryeministrit duke u konsultuar paraprakisht me institucionet e nivelit qendror dhe lokal që janë përgjegjës për mbrojtjen e fëmijëve”, tha Gashi.

“Ky projektligj ka për qëllim me e mbrojt fëmijën nga dhuna fizike, mendore, neglizhimi që vjen për rregullimin e jetesës, sigurimi, shëndeti, edukimi etj”, tha ai.

Avokati i Popullit, Igballe Rrahmani, tha se për këtë projektligj duhet të i caktohet institucionit përkatës detyra e tij në mënyrë që të u ofrohet mbrojtja fëmijëve dhe të i gëzojnë të drejtat e tyre.

“E çmoj mundësinë që përfundimisht projektligji ka ardhur në dëgjim publik dhe është e rëndësishme që të plotësohet korniza e përgjithshme për mbrojtjen e fëmijëve që t’u ofrohet mbrojtja fëmijëve dhe të përcaktojë detyrat e institucioneve si në nivel qendror dhe lokal që fëmijët të gëzojnë të drejtat e tyre plotësisht”, tha Rrahmani.

“Ligji ka nevojë vetëm në aspekt gjyqësor të shikohet të jetë më i qartë për ata që kanë me e përdorë në cilësi të punës dhe në përgjithësi”, tha ajo.

Kanarina Shehu nga “Save the Children” pret që deputetët e Kosovës të përkrahin këtë projektligj.

“Ka aspekte në ligj që ne kemi avoku me vite të tërë dhe shpresojmë të mbeten në projektligj dhe të pëlqehet nga deputetët”, tha Shehu.

Përfaqësues i UNICEF-it, Ardian Klaiqi zyrtar për mbrojtjen e fëmijëve tha se ky ligj rrezikon të mos u siguroj të drejta fëmijëve.

“E përkrahë këtë procedurë dhe drafti që është prezantuar ka përmirësime nga i drafti i kaluar, por brenga është se nga drafti aktual nuk përkrah shërbimet që janë paraparë dhe rrezikon që ky ligj të mbetet ligj deklarativ dhe të mos siguroj të drejta fëmijëve”, tha Klaiqi.

Teuta Zymberi nga Qendra për Studime të Avancuara FIT ka shprehur shqetësime me prezencën e madhe të fëmijëve në internet dhe web faqe të cilat janë të ndaluara për fëmijët. Ajo tha se fëmijët në masë të madhe vizitojnë faqe në internet të cilat kanë përmbajtje pornografike dhe sipas saj këta fëmijë rrezikohen të bëhen më agresiv dhe pedofil nëse kjo vazhdon.

“45% e fëmijëve që vizitojnë internet-kafetë shikojë pamje jo të mira me përmbajtje  pornografike”, tha Zymberi.

“Ofrimi i materialit pornografik që ju ofrohet personave nën 16 vjeç iu jepet dënimi 3 muaj deri në 3 vite”, tha ajo.

Besa Baftiu nga komisioni për shëndetësi tha se komisioni për shëndetësi do të jap kontributin e tyre në këtë projektligj sepse është e domosdoshme që të rregullohet projektligji për mbrojtjen e fëmijëve.

“Mungesa e grantit specifik ka qenë rekomandim i BE-së dhe raporti i progresit qe të ndahet një grant specifik”, deklaroi Baftiu.

“Duhet të bëjmë një ligj të zbatueshëm, por jo si tjera ligje që kalojnë në Kuvend, por nuk zbatohen si pasojë e mungesës së buxhetit dhe përgjegjësia që ministria përkatëse është e obliguar që ta zbatoj këtë ligj”, tha Baftiu.

Anëtarja e komisionit, Teuta Haxhiu tha se për të është ende e paqartë se kush është përgjegjës për këtë ligj, apo cila ministri duhet të jetë përgjegjëse.

“Për mua është ende e paqartë adresa e saktë se kush është ombrella e këtij ligji“, tha Haxhiu

Anëtarja, Megjide Mjaku-Topalli tha se ky takim duhet të ishte më aktiv dhe të gjithë deputetët dhe organizatat e duhura do të duhej të ishin prezent, sipas saj ky takim ishte i zbehtë dhe mosprania e të tjerëve ishte neglizhencë për këtë projektligj.

 

Të ngjashme