45 organizata të shoqërisë civile u kanë bërë thirrje partive parlamentare që të arrijnë marrëveshje për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës deri më 6 tetor, brenda afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese.
Në një deklaratë të përbashkët, organizatat kanë kërkuar që partitë të angazhohen për funksionalizimin e institucioneve dhe për përfundimin e procesit të zgjedhjes së Presidentit.
“Ne, organizatat e poshtëshënuara të shoqërisë civile, vlerësojmë që Kosova duhet të ketë institucione funksionale, me mandat të plotë dhe që përmbushin përgjegjësitë e tyre ndaj qytetarëve”, thuhet në deklaratë.
Organizatat kanë paralajmëruar se dështimi për zgjedhjen e Presidentit do të çonte në shpërndarjen e Kuvendit dhe në zgjedhje të reja. Sipas tyre, një situatë e tillë do ta përballte vendin sërish me ngërç institucional, pas krizave të përsëritura dhe cikleve të njëpasnjëshme zgjedhore.
Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar se afati 60-ditor për zgjedhjen e Presidentit ka nisur më 8 gusht dhe përfundon më 6 tetor 2026.
Organizatat i kanë bërë thirrje shumicës parlamentare që të jetë e hapur ndaj kandidaturave që mund të sigurojnë mbështetje më të gjerë ndërpartiake, ndërsa nga partitë opozitare kanë kërkuar propozime konkrete dhe angazhim për një zgjidhje të realizueshme.
“Arritja e marrëveshjes për Presidentin/en kërkon kompromis të ndërsjellë”, thuhet në deklaratë, ku nga të gjitha palët kërkohet gatishmëri për të rishikuar qëndrimet fillestare dhe për të arritur marrëveshje për kandidaturën, mbështetjen parlamentare dhe pjesëmarrjen e nevojshme për përfundimin e procesit.
Sipas organizatave nënshkruese, zgjedhja e Presidentit përmes një marrëveshjeje në përputhje me Kushtetutën do t’u mundësonte institucioneve të vazhdojnë punën dhe vendit të dalë nga bllokada aktuale.
Organizatat kanë shprehur gjithashtu gatishmërinë për të kontribuar në këtë proces përmes lehtësimit të diskutimeve eventuale mes palëve.
Në deklaratë thuhet se partitë duhet që në ditët e mbetura deri në përfundimin e afatit të ndërmarrin hapa konkretë për arritjen e marrëveshjes dhe për përfundimin e procesit të zgjedhjes së Presidentit.
Deklaratën e kanë nënshkruar 45 organizata, ndër to Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), Democracy Plus (D+), Instituti GAP, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Demokraci për Zhvillim (D4D), Group for Legal and Political Studies (GLPS), Lëvizja FOL, Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), Qendra Kosovare për Studime Gjinore (QKSGj), Rrjeti i Grave të Kosovës dhe organizata të tjera të shoqërisë civile.
𝑫𝒆𝒌𝒍𝒂𝒓𝒂𝒕e 𝒆 𝒑𝒆̈𝒓𝒃𝒂𝒔𝒉𝒌𝒆̈𝒕 𝒆 𝒐𝒓𝒈𝒂𝒏𝒊𝒛𝒂𝒕𝒂𝒗𝒆 𝒕𝒆̈ 𝒔𝒉𝒐𝒒𝒆̈𝒓𝒊𝒔𝒆̈ 𝒄𝒊𝒗𝒊𝒍𝒆
𝐏𝐚𝐫𝐭𝐢𝐭𝐞̈ 𝐭𝐞̈ 𝐚𝐫𝐫𝐢𝐣𝐧𝐞̈ 𝐦𝐚𝐫𝐫𝐞̈𝐯𝐞𝐬𝐡𝐣𝐞 𝐩𝐞̈𝐫 𝐏𝐫𝐞𝐬𝐢𝐝𝐞𝐧𝐭𝐢𝐧 𝐝𝐡𝐞 𝐭𝐞̈ 𝐠𝐚𝐫𝐚𝐧𝐭𝐨𝐣𝐧𝐞̈ 𝐟𝐮𝐧𝐤𝐬𝐢𝐨𝐧𝐢𝐦𝐢𝐧 𝐞 𝐢𝐧𝐬𝐭𝐢𝐭𝐮𝐜𝐢𝐨𝐧𝐞𝐯𝐞
Ne, organizatat e poshtëshënuara të shoqërisë civile, vlerësojmë që Kosova duhet të ketë institucione funksionale, me mandat të plotë dhe që përmbushin përgjegjësitë e tyre ndaj qytetarëve. Mandati i dhënë nga qytetarët është përgjegjësi për respektimin e rendit kushtetues dhe funksionimin demokratik të institucioneve. Prandaj, u bëjmë thirrje partive parlamentare që të angazhohen menjëherë për një marrëveshje që mundëson zgjedhjen e Presidentit/es deri më 6 tetor, brenda afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese.
Dështimi i sërishëm për të zgjedhur Presidentin/en do të sillte shpërndarjen e Kuvendit dhe zgjedhje të reja. Pas krizave të përsëritura institucionale dhe cikleve të njëpasnjëshme zgjedhore, kjo do ta vendoste vendin përballë një tjetër ngërçi institucional, pa pasur garancë që zgjedhjet do të jenë zgjidhje e mosmarrëveshjeve që po e mbajnë të hapur këtë çështje.
Vonesat institucionale dhe zgjedhjet eventuale nuk kanë të bëjnë vetëm me zgjedhjen e Presidentit/es. Prej dy vitesh, institucionet e Kosovës kanë funksionuar në kushte të mandatit të kufizuar ose në detyrë. Një tjetër bllokadë institucionale do ta thellonte këtë krizë dhe do ta zgjaste pasigurinë politike, duke dobësuar më tej demokracinë dhe kontrollin demokratik, mundësitë për zhvillim ekonomik, marrëdhëniet ndërkombëtare dhe besimin e qytetarëve në institucionet e shtetit.
Arritja e marrëveshjes për Presidentin/en kërkon kompromis të ndërsjellë. Nga shumica parlamentare kërkojmë që të jetë e hapur ndaj kandidaturave që mund të sigurojnë mbështetje më të gjerë ndërpartiake. Në anën tjetër, nga partitë opozitare presim propozime konkrete dhe angazhim për një zgjidhje të realizueshme. Nga të gjitha palët kërkojmë gatishmëri për të rishikuar qëndrimet fillestare dhe për t’u dakorduar mbi kandidaturat, mbështetjen parlamentare dhe pjesëmarrjen e nevojshme për përfundimin e procesit në afat.
Zgjedhja e Presidentit/es përmes një marrëveshjeje të arritur në përputhje me Kushtetutën do t’i mundësonte vendit të dalë nga bllokada aktuale dhe institucioneve të vazhdojnë punën e tyre. Një marrëveshje e tillë nuk kërkon tejkalimin e dallimeve politike ndërmjet shumicës dhe opozitës, por vetëm bashkëpunimin institucional të nevojshëm për përfundimin e procesit dhe funksionimin e shtetit. Presidenti/ja përfaqëson unitetin e popullit dhe është garantues i funksionimit demokratik të institucioneve, andaj edhe marrëveshja duhet të udhëhiqet nga ky rol kushtetues.
Si organizata të shoqërisë civile, jemi të gatshme të kontribuojmë në këtë përpjekje përmes lehtësimit të diskutimeve eventuale. Në ditët e mbetura, presim që gatishmëria për dialog të shoqërohet me hapa të qartë dhe konkret për arritjen e një marrëveshjeje dhe për përfundimin e procesit të zgjedhjes së Presidentit/es brenda afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese.
𝑶𝒓𝒈𝒂𝒏𝒊𝒛𝒂𝒕𝒂𝒕 𝒏𝒆̈𝒏𝒔𝒉𝒌𝒓𝒖𝒆𝒔𝒆: (𝒔𝒊𝒑𝒂𝒔 𝒓𝒆𝒏𝒅𝒊𝒕 𝒂𝒍𝒇𝒂𝒃𝒆𝒕𝒊𝒌)
Advocacy Center for Democratic Culture (ACDC)
Advocacy Training and Resource Center (ATRC)
CEL Kosova – Qendra për Barazi dhe Liri
Civil Rights Program Kosovo – CRP/K
Community Building Mitrovica (CBM)
Democracy Plus (D+)
Demokraci për Zhvillim (D4D)
Dylberizm
Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF)
Fondi për Zhvillim Komunitar (CDF)
Forumi Kosovar i Aftësisë së Kufizuar
Forumi për Iniciativa Qytetare
Fourth Wave
Group for Legal and Political Studies (GLPS)
Handikos Istog
Iniciativa për Progres (INPO)
Iniciativa Qytetare Skenderaj
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI)
Instituti GAP
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD)
Instituti KLGI
Instituti Riinvest
INTEGRA NGO
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj)
Kosova -Women 4 Women
Kosovo Advocacy and Development Centre (KADC)
Lëvizja FOL
NGO “Syri i Vizionit”
NGO ROMTEGRA
OMM Gjethi
Organizata e Personave me Aftësi të kufizuara-Handikos Kaçanik
Organizata Germin
Organizata për Demokraci, Anti-korrupsion dhe Dinjitet – “ÇOHU!”
Prishtina Institute for Political Studies (PIPS)
Qendra Kosovare për Studime Gjinore (QKSGj)
Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS)
Qendra për Politika dhe Avokim
Qendra për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore (CSGD)
Rrjeti i Grave të Kosovës
Rrjeti i OJQ-ve AVONET
Rrjeti i OJQve të Grave Qeliza
SEKHMET Institute
ShL- Kosova
The Kosova Rehabilitation Centre for Torture Victims (KRTC)