Inter e fitoi ndeshjen ndaj SPAL 2-0 me një penallti të Icardit dhe një gol të Perishiqit. Vendimi për 11-metërshin ishte i drejtë në fund të fundit, por që kërkoi plot 5 minuta që të merret. Dhe në futboll edhe sekondat vlejnë shumë.
Fillimisht arbitri i takimit fërshëlleu për një faul jashtë zone të Vicari ndaj Joao Mario. Më pas drejtuesit të ndeshjes iu komunikua nga video asistenti i tij që të ndalë ekzekutimin pasi rasti është i dyshimtë.
Gjyqtari, futbollistët dhe të gjithë në shkallët e stadiumit pritën 2 minuta të gjata për të kuptuar se video asistenti po qartësonte rastin në fjalë. Në pankinat përkatëse mbajtën frymën.
Më pas arbitri drejtohet tek monitori që ka në anë të fushës. E pa mirë rastin, e ripa edhe një herë edhe pse sekondat në kronometër nuk ndaleshin.
Koha që merr teknologjia nuk po i përgjigjet ritmit të lojës. Që nga minuta 21′ e 41 sekonda e pjesës së parë deri tek minuta e 26 e 12 sekonda janë shumë për të akorduar një 11-metërsh që u kthye në gol në minutën e 26 e 45 sekonda. Anomalia tjetër është që në fund të pjesës së parë, arbitri akordoi vetëm 2 minuta shtesë.
Në fund të pjesës së dytë, pas shumë mundimeve Perishiqi siguron fitoren 2-0 për Inter.