Në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK, të shtunën janë testuar 49 mostra të marra nga personat që kanë pasur kontakt me të rezultuaren të infektuar nga Mitrovica para dy ditësh, ku 5 raste kanë dalë pozitiv me koronavirusin COVID-19.
Personat e infektuar janë familjarë të infektuares së parë, të cilët gjenden me vendbanim në fshatin Rekë.
Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, nëpërmes një postimi në Facebook.
Sipas tij, të gjithë të infektuarit kanë gjendje stabile shëndetësore dhe janë në vet-izolim, dhe pas 14 ditësh do të testohen prapë.
“Duke pasur parasysh se nga nesër komunës veriore të Mitrovicës do t’i heqet masa e karantinës, atëherë i lus gjithë qytetarët që të jenë edhe më të kujdesshëm në marrjen e masave për mbrojte nga COVID-19”, shkruan Bahtiri.
“Rruga e vetme për mbrojtje nga ky virus është zbatimi strikt i udhëzimeve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik”.
“Të dashur qytetarë, me ndihmën e juaj do t’ia dalim edhe kësaj radhe”, shprehet Bahtiri.