Asnjë fjali tjetër nuk e ka vulosur kaq shumë epokën e Merkelit si kancelare sa fjalia “Ne ia dalim mbanë”.
Ajo do duhej të krijonte besim për një detyrë të madhe, të marrë madje vetë përsipër. Brenda pak javësh erdhën në Gjermani përmes itinerarit të Ballkanit dhjetëra mijëra refugjatë. Shumë kishin qëndruar më parë në Hungari. Pjesa më e madhe vinin nga Siria, Afrika Veriore, Iraku, Afganistani. Merkel lejoi hyrjen në Gjermani, edhe pse në të vërtetë ishin vende të tjera të BE përgjegjëse për ta: pretendimi për azilin do të provohej më vonë.
Në fund u bënë gati 1 milion vetë, që vetëm në vitin 2015 kërkuan azil në Gjermani.
Ministri i Punëve të Brendshme asokohe, Thomas de Maizière bëri të ditur në gusht të këtij viti në televizionin ARD, se ka pasur “momente të humbjes së kontrollit”. Pasuesi i tij, kryeministri bavarez, Horst Seehofer, CSU, e cilësoi situatën e vitit 2015 njëherë si “sundim të mungesës së ligjit”.
Parë në retrospektivë, opinionet e partive politike rivale janë të ndryshme. Politikanja e Partisë së Gjelbër, Irene Mihalic mendon se „ishte gjëja e duhur, që kancelarja atëherë nuk i mbylli kufijtë. Alternativa për këtë do të ishin rrethana kaotike në zemër të Evropës, me një potencial konflikti të paparashikueshëm”.
Politikani i SPD-së për politikën e brendshme, Lars Castellucci e kufizon miratimin e tij: “E gabuar ishte, që partnerët tanë evropianë nuk u tërhoqën sa duhet në këtë gjë, kjo na sjell edhe sot probleme”.
Kurse Gottfried Curio nga partia AfD thotë: “Realiste dhe me përgjegjshmëri do të kishte qenë, t’i përmbaheshim ligjit dhe të drejtës… nëse njerëzit që në fillim do të ishin kthyer, atëherë shumë më pak vetë do të kishin marrë rrugën dhe shumë më pak do të kishin humbur jetën në Mesdhe”.
Miratim dhe skepticizëm
Merkel me fjalinë e saj “Ne ia dalim mbanë” preku shumë vetë. Jashtë Gjermanisë pati miratim të madh. “New York Times” shkroi më 5 shtator 2015, se Gjermania “u ka ofruar dorën” refugjatëve. Televizioni Al-Jazeera raportoi, se “Gjermania ka hapur dyert dhe kufijtë, për të gjithë ata që kërkojnë shpëtim dhe një vend të sigurt”.
Kurse skeptikët që në fillim ishin të mendimit, se Gjermania po e ekzagjeron jashtë mase. Ata pyesnin, se cilat janë gjërat që duhet t’ia dalim mbanë konkretisht dhe nëse Gjermania duhet të ndjehet përgjegjëse për kaq shumë njerëz nga kultura të tjera. Asnjë fjali tjetër nuk e ndau kaq shumë Gjermanisë si fjalia “Ne ia dalim mbanë”.
Politikani socialidemokrat, Castellucci, partia e të cilit, si partner më i vogël në koalicion e mbështeti politikën e Merkelit, thotë se mungoi një deklaratë e kancelares. “Ajo duhej…detyrimisht të thoshte, se si mund t’ia dalim mbanë dhe se çfarë duhet arritur. Për këtë duhej të zhvilloheshin diskutime në shoqëri. Kjo do të na kishte shpëtuar nga papajtueshmëria, me të cilën qëndrojnë përballë përkrahësit dhe kundërshtarët e politikës sonë dhe nga ajo që populistët të mos përfitonin.”
2015-a “nuk përsëritet”
Kultura e mirëseardhjes që propagandoi Merkel mori fund më së voni në Natën e Vitit të Ri 2015/2016, në stacionin e trenit në Koeln ku migrantët ngacmuan seksualisht shumë vajza. Që më parë kishte pasur sulme ndaj strehimoreve të refugjatëve me motiv urrejtjen ndaj të huajve.
Politikisht nga pakënaqësia përfitoi partia kundër azilit, AfD.
Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017 kjo parti u bë partia më e fortë opozitare.
Merkel e ka mbrojtur vendimin që mori, por në dhjetor 2016 në një kongres të partisë CDU deklaroi, se një situatë si ajo e verës 2015 „nuk mund, nuk duhet e nuk do lejohet të përsëritet më”.
Politika gjermane e azilit u ashpërsua. Shifrat e azilkërkuesve ranë, edhe sepse shumë vende përgjatë itinerarit të Ballkanit mbyllën kufijtë.
Shoqëria gjermane është deri më sot e përçarë në politikën e migracionit. Afër 60% e gjermanëve besojnë, se ky vend mund të përballojë refugjatët, 40% mendojnë të kundërtën. Politilogu, Herfired Meunkler ka thënë, se në vitin 2015 “doli në pah një linjë ndarëse në shoqërinë gjermane” dhe politika u radikalizua. “Fuqia e mesit politik, si e njihnim më parë, mori fund”.
A ia ka dalë Gjermania mbanë 5 vjet pas fjalisë së famshme të Merkelit? Ish-ministri i Punëve të Brendshme, de Maiziere thotë megjithatë se “ne kemi arritur shumë”. Kurse kolegu nga partia e tij, CDU, Patrick Sensburg thotë se Gjermania “krizën e refugjatëve 2015 megjithatë në përgjithësi e ka menaxhuar mirë”.
Irene Mihalic e Të Gjelbërve arrin në përfundimin se “integrimi nuk arrihet sot me nesër, dhe ne do kemi shumë për të bërë në këtë drejtim në të gjitha nivelet”. Mihalic e shikon këtë sfidë edhe si shans për tregun e punës, por edhe zhvillimin demografik.
Edhe studimet e Institutit Gjermani për Ekonominë, DIW arrijnë konkluzione të tilla. Gjermania është në rrugën për t’ia dalë mbanë, por duhet ende shumë punë, si nga të ardhurit edhe nga shoqëria pritëse.