Një stuhi e madhe e borës i ka goditur disa shtete në pjesën jug-lindore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Raportohet se stuhia tashmë e ka shkaktuar një viktimë, ndërsa mijëra shtëpi kanë mbetur pa energji elektrike. Për shkak të kushteve atmosferike, Karolina Veriore e ka shpallur gjendjen emergjente.
Thuhet se në disa zona trashësia e borës ka arritur deri në 50 centimetra. Personi i vdekur ishte goditur nga një dru i madh përderisa ishte brenda veturës së tij. Ndërkaq, po vazhdojnë kërkimet për një vozitës, vetura e të cilit kishte rënë në lumë. Moti i dobët ka bërë që të anulohen mijëra fluturime të aeroplanëve.
Besohet se rreth 300 mijë persona në Karolina, Alabama, Tennessee dhe Georgia janë prekur nga ndërprerja e rrymës elektrike. Pritet të stuhia të lëvizë drejt lindjes, duke kaluar në ujërat e Oqeanit Atlantik. Trashësia e madhe e borës ka bërë që disa shtylla elektrike të rrëzohen, për shkak të peshës së borës në telat e rrymës.
Policia ka raportuar se vetëm në Virgjinia janë shënuar 60 aksidente në komunikacion, ndërsa në Karolinën Veriore kanë ndodhur 500. Një person është dërguar në spital për shkak të lëndimeve, ndërsa një vozitës i traktorit është zhdukur, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.