500 euro për ta rrahur Sokol Zogajn, ja çfarë thotë drejtori i burgjeve

Prishtinë | 02 Sht 2017 | 14:13 | Nga

Drejtori i Shërbimit Korrektues, Sokol Zogaj nuk ka dashur të merret me raportimet e fundit se personat që rrahën atë, respektivisht njëri prej tyre, ishte i paguar me 500 euro për të marrë pjesë në këtë sulm.

Megjithatë, Zogaj beson se organet përgjegjëse të drejtësisë do ta kryejnë punën e tyre për ta zbardhur rrahjen që kishte ndodhur në lagjen “Ulpiana” të Prishtinës. “Këto çka janë dal në media unë nuk di diçka më tepër. Unë i mbështesë organet që sa më shpejtë të gjendet ata njerëz të cilët e kanë bërë atë akt makabër ndaj meje”, ka thënë ai për “Indeksonline”.

Ndërsa, prej se ndodhi sulmi, Zogaj tani më nuk është i vetëm. Policia e Kosovës është duke siguruar atë me një patrullë për përcjellje ‘hap pas hapi’. “Prej javës së kaluar jam në përcjellje të afërt por besojë se më nuk do të ketë probleme”, ka thënë ai.

Megjithatë, drejtori i burgjeve të Kosovës këmbëngul se rrahja ka të bëjë direkt me punën profesionale, e jo jetën private. “Muj me thënë se s’ka të bëjë me jetën time private familjare por ka të bëjë me punët, angazhimet e mija, përgjegjësitë që kam në Shërbimin Korrektues të Kosovës edhe kaq. Të hënën kam filluar punën, gjendjen e kam stabile dhe besojë se në të ardhmen do të jetë edhe më mirë”, ka thënë ai.

Ndryshe, mediat kanë raportuar se policia ka identifikuar tre të dyshuarit që janë përfshirë në këtë sulm; Blerim Abdullahun, Burim Zhejqiq dhe Guri Mulollin. Kurse të njëjtit ende nuk ka arritur t’i arrestojë ndonëse ka kryer një aksion bastisjeje në shtëpinë e të dyshuarve dhe ua ka konfiskuar veturën që dyshohet se është përdorur ditën kritike.

Të ngjashme