Let’s Do It Kosova ka ndarë 500 kontejnerë dhe 500 shporta për komunat fituese, përzgjedhja e të cilave është bërë në bazë të angazhimit të tyre në fushatën “Ta Pastrojmë Kosovën”, raporton Ekonomia Online.
13 komunat përfituese të kontejnerëve dhe shportave janë komuna e Junikut, Podujevë, Istog, Skenderaj, Pejë, Prizren, Hani i Elezit, Shtime, Mitrovicë, Lipjan, Malishevë, Rahovec dhe Deçan.
Drejtori Ekzekutiv i Let’s Do It Kosova, Luan Hasanaj tha se do të jetë përkrahëse e kompanive të pastrimit për të ua lehtësuar atyre punën dhe për ta bërë bashkë vendin më të pastër.
“Kemi dhënë më shumë, por kjo ka qenë mundësia këtë herë për lokacionet që kanë nevojë. Ju siguroj që do jemi partnerë të juaj të ua lehtësojmë punën tuaj dhe vendin ta bëjmë vend të pastër dhe më të mirë për të jetuar”, tha Hasanaj.
“Organizata jonë dhe disa të tjera nganjëherë po keqkuptohen dhe na shohin si organizata që po bëjmë punën e kompanive, por që nuk është ashtu ne jemi këtu vetëm për të u ndihmuar juve dhe me ndikuar në institucione që juve me iu përkrahë më shumë dhe me kërkuar nga qytetarët me qenë më të përgjegjshëm. Kosova e pastër nuk mundet të bëhet deri sa ju të mos keni kapacitetet e nevojshme për të vepruar duke filluar nga paga e deri tek infrastruktura që janë kamion, kontejnerë etj”, tha Hasanaj.
Hasanaj tha se kompania “Pastrimi” nuk duhet të ndal punën e saj për shkak të problemeve që ka sepse në këtë rast pësojnë qytetarët që nuk u ofrohet mirëmbajtje të vendit.
“’Pastrimi’ nuk duhet të ndal punën pavarësisht problemeve në mes kompanive këtu nuk kanë faj qytetarët dhe shpresoj ky problem të zgjidhet dhe Prishtinën ta kemi pa bërllok”, shtoi ai.
Kryeshef ekzektutiv i KRM “Ekoregjioni”, Nehat Basha tha se kompanitë publike u shërbejnë të gjithëve qytetarëve dhe jo vetëm atyre që paguajnë, raporton EO.
“Ne si kompani bashkëpunojmë me Let’s Do It Kosova, kësaj herë nxori 1 milion euro nga Qeveria që shprehi vullnet të ndihmoj qytetarin dhe neve. Kompanitë tonë publike kanë mision për të u shërbyer gjithëve qytetarëve e kemi të urdhëruar qe ku të shohim bërllok ta marrim”, tha ai.
Basha kërkoi mbështetje financiare nga Qeveria për tu pajisur me pajisje në mënyrë që edhe kompanitë e pastrimit ta kryejnë punën siç duhet.