Më shumë se 500 mijë njerëz kanë nënshkruar një peticion duke kërkuar që ish-kryeministrit britanik, Tony Blair, t’i hiqet titulli “Sir”.
Arsyetim i peticionit për heqjen e titullit kanë qenë “krimet e luftës”. Blair ishte lideri britanik kur NATO-ja nisi bombardimet ndaj Serbisë në luftën e Kosovës.
Blair njihet ndër mbështetësit më të mëdhenj të kauzës së kosovarëve për t’u çliruar nga Serbia, nga e cila përjetonin dhunë sistematike. Kur regjimi i Sllobodan Millosheviqit masakronte shqiptarët, Blair bashkë më ish-presidentin amerikan, Bill Clinton, ka mbështetur qëndrimin se NATO-ja duhet të nisë bombardimet ndaj ushtrisë serbe. Dhe, kishin nisur. Policia dhe ushtria serbe kishin hequr dorë së pushtuari Kosovën, pas 78 ditë bombardimesh të NATO-s. Prej atëherë, Kosova është çliruar. Blair në Kosovë shihet si hero.
Në vizitën që ia bëri Kosovës më 2010 ai qe shprehur se s’është pishman për bombat që kishte gjuajtur mbi Serbinë për çlirim të Kosovës. Pati thënë se një gjë e tillë ia ka vlejtur “pa dyshim”.
Në atë vizitë Blairit pritje i kishin organizuar nëntë fëmijë me emrin Tonibler. Prindërit ua kanë vënë këta emra në shenjë nderi për kontributin e Blairit për çlirimin e Kosovës.
Laburisti ka qenë në pushtet në periudhën 1997-2007. Ai ditë më parë mori titullin prestigjioz. Emri i Blairit ishte në mesin e 24-ve të cilët u zgjodhën nga Mbretëresha.
Megjithatë tani janë bërë më shumë se 500 mijë njerëz që kanë kërkuar t’i hiqet duke thënë se roli i tij në luftën e Irakut e bën “personalisht përgjegjës” për shumë vdekje. Ai është akuzuar po ashtu edhe për “krime lufte”.
Një peticion i nisur online në “change.org”, nga Angus Scott, e akuzon Blairin për dëme të krijuara ndaj shtetit sa ishte në pushtet.
“Ai personalisht ishte përgjegjës për shkaktimin e vdekjeve e panumërta në luftëra të ndryshme. Për këtë ai duhet të mbahet përgjegjës për krime lufte. Tony Blair është njeriu që më së paku ka merituar nderim publik, në veçanti diçka që ndahet nga Mbretëresha”, thuhet në peticion.
Megjithatë, lideri i Laburistëve, Sir Keir Starmer, ka thënë se Sir Tony Blair meriton titullin. Ai ka thënë për ITV-në se ish-kryeministri Blair ka përmirësuar dukshëm Britaninë dhe se titulli ishte plotësisht i duhur.