Në Parkun Inovativ të Prizrenit janë sistemuar 500 persona që erdhën nga Shqipëria pas tërmeteve.
Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka thënë se momentalisht ky kamp ka kaq kapacitet dhe menjëherë është mbushur që sot në mëngjes, njofton Klan Kosova.
“Pas ardhjes së tyre ne në këtë kohë kemi arritur të bëjmë regjistrimin e tyre dhe të sistemojnë në ndërtesat që janë funksionale këtu. Kemi pasë 500 shtretër me të gjitha ato që nevojiten dhe po ashtu janë siguruar të gjitha mjetet higjienike që ju duhen për qëndrim”.
“Kapaciteti është për 500 persona dhe aq janë marrë, ndërtesat tjera nuk kanë ngrohje, për atë jemi duke u munduar të gjejmë vend tjetër për sistemim në familje apo në vend tjetër. Të gjitha familjet që kanë ardhur deri më tani i kemi sistemuar dhe kapaciteti këtu është mbushur dhe nuk ka vend. Në momentin që gjejmë vende të përshtatshme brenda komunës do t’i sistemojmë edhe të tjerët që vijnë dhe kërkojnë strehim”.
Aktualisht ushqimi po sigurohet nga restorantet dhe qebaptoret e qytetit, por sipas Haskukës kjo nuk është zgjidhje,
“I falënderoj të gjitha kompanitë dhe qebaptoret e Prizrenit që kanë dërguar ushqim, por duhet gjetur zgjidhje afatgjate”.
Por sa i përket çështjes se ka qytetarë që edhe pse nuk janë nga vendet e prekura nga tërmeti, Haskuka tha se kjo gjë u takon institucioneve të Kosovës dhe Shqipërisë.
“Gizi dhe ambasada gjermane i kanë vënë në dispozicion për ata që kanë ikur nga tërmeti dhe atyre që i është dëmtuar objekti. Por verifikimi i atyre nuk mund të bëhet nga komuna por nga ministritë e brendshme nga të dyja shtetet. Këtë e kemi kërkuar që të bëhet sa ma shpejt”.
Por a ka nevojë që për këta 500 vetë të dërgohet ndihma nga qytetarët?
“Momentalisht të gjitha kërkesat higjienike i kemi siguruar dhe për to s’ka nevojë,. Ushqimi është problem sepse ai nuk mund të mbahet këtu sepse s’kemi kuzhinë. Por kam kërkuar një kuzhinë mobile dhe ndoshta ndonjë kompani që mund ta sigurojë do të jetë e mirëpritur”.
“Edhe ndihmat e qytetarëve që vijnë mund t’i marrim, por nuk dua të krijoj një kaos këtu sepse edhe ne i kemi siguruar”.
“Shujtat jemi duke i siguruar përmes restoranteve. I kemi marrë prej qebaptoreve, byrektoreve, restoranteve, por kjo nuk është zgjidhje e përhershme”.