Me një ceremoni solemne dhe në prani të qindra pjesëmarrësve, mbylli punimet edicioni i gjashtë i Konferencës Ndërkombëtare për Shkencë, Teknologji, Biznes dhe Inovacion, organizimi i të cilës tashmë është bërë traditë.
Si asnjëherë më parë, kjo konferencë mblodhi mbi 300 punime shkencore, të punuara me shumë profesionalizëm nga më shumë 500 pjesëmarrës.
Ajo që e bëri të veçantë dhe akoma më të pasur këtë konferencë ishte prania e mbi 100 profesorëve e ekspertëve ndërkombëtarë, numër ky që po shënon rritje nga viti në vit, e që është një tregues i qartë mbi nivelin e lartë organizativ dhe hulumtues të UBT-së.
Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, SHBA, Austria, Gjermania, Britania e Madhe, Danimarka, Irlanda, Italia, Kroacia, Çekia, Norvegjia, Finlanda, Bullgaria, Polonia, Hungaria, Greqia etj., janë disa nga shtetet që u përfaqësuan me punime shkencore në këtë konferencë, që mblodhi disa nga mendjet më të ndritura nga akademia, shkenca e industria.
Rektori i UBT-së, prof. dr Edmond Hajrizi tha se për UBT-në dhe Kosovën është shumë e rëndësishme që të mbahen konferencat e tilla shkencore, ku mblidhen njerëzit më kompetentë të fushave, për të na bërë të vetëdijshëm mbi inovacionet e fundit në botë dhe ndryshimet nëpër të cilat po kalon njerëzimi.
“Në ditët e sotme është shumë e rëndësishme që të jemi në të njëjtin hap me trendët botërorë të zhvillimit dhe të jemi indikatorë dhe zhvillues të inovacioneve edhe në vendin tonë”, theksoi Hajrizi.
Qëllimi kryesor i kësaj konference ishte që të bëjë të mundur shkëmbimin e njohurive dhe shkathtësive në mes hulumtuesve, profesorëve, studentëve të doktoraturës dhe ekspertëve të ndryshëm nga industria.Andaj, për këtë qëllim, konferenca shtriu aktivitetin e vet në 15 fusha të ndryshme, që u mbajtën njëkohësisht, përfshirë fushat: Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi, Shkenca Kompjuterike dhe Inxhinieri, Sistemet e Informacionit dhe Siguri, Menaxhim i Mekatronikës dhe Robotikës, Arkitekturë dhe Planifikim Hapësinor, Inxhinieria Ndërtimit dhe Mjedisit me Infrastrukturë, Energji Efiçiente, Juridik, Shkenca Politike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare, Gazetari, Media dhe Komunikim, Shkenca të Ushqimit, Shkenca Mjekësore, Kimi dhe Farmaci, Dizajn i Integruar, si dhe Shkenca e Psikologjisë; Edukim dhe Zhvillim.
UBT, përmes organizimit të konferencave shkencore, po jep kontribut të vazhdueshëm për zhvillimin e shkencës dhe të hulumtimit, duke u mundësuar profesorëve dhe profesionistëve të fushave të ndryshme, të prezantojnë rezultatet e punës së tyre shkencore, me ndikim në proceset akademike, por edhe me interes për publikun dhe ndjekjen e trendëve të fundit të zhvillimit në të gjitha fushat.