Në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet Komunës së Drenasit, GIZ-it gjerman si dhe organizatës GAC, të martën ndërmarrja rajonale “Pastrimi” ka pranuar një kontingjent prej 500 shportash të cilat kanë për qëllim grumbullimin e mbeturinave të riciklueshme.
Me këtë rast, drejtoresha e Shërbimeve Publike dhe Emergjencë, Lumnije Krapi, ka falënderuar organizatën GIZ dhe GAC për bashkëpunimin e vazhdueshëm për të pasur një ambient sa me të pastër.
Shportat 220L do të shpërndahen në ekonomi familjare dhe biznese dhe kanë për qëllim ruajtjen e mjedisit dhe zvogëlimin e sasisë së mbeturinave në deponi. Ky projekt për riciklim të mbeturinave në burim do të vazhdojë edhe në lokacione të tjera të Komunës së Drenasit, duke përfshirë të gjitha vendbanimet e territorit të Drenasit. Deri më tani, në këtë projekt janë përfshirë, të gjitha institucionet e Komunës së Drenasit, duke përfshirë edhe institucionet arsimore/shkollat, shumica prej zonave urbane dhe disa lagje në fshatra.
Komuna e Drenasit, pas shtrirjes qind për qind të grumbullimit të mbeturinave në të gjitha vendbanimet, tani është duke e implementuar projektin e riciklimit të ndarjes së mbeturinave në burim. Ky është një projekt i cili do të ndikoj drejtpërsëdrejti në përmirësimin e ambientit, veçanërisht në eliminimin e deponive ilegale të mbeturinave.