Gjykata e Apelit të hënën shqyrtoi ankesat e palëve në rastin e njohur si “53-milionëshi”, në të cilin Pal Lekaj, Eset Berisha, Nebih Shatri dhe Besim Tahiri, janë dënuar nga Themelorja me 10 vjet e 3 muaj burigm (së bashku).
Në këtë seancë, mbrojtja kërkoi që ndaj të akuzuarve të shpallet aktgjykim lirues ose rasti të kthehet në rigjykim, kurse Prokuroria kërkoi denim maksimal ndaj të akuzuarve.
Pal Lekaj, në cilësinë e ministrit të Ministrisë së Infrastrukturës (MI), Eset Berisha, në cilësinë e këshilltarit të lartë politik i tij, Nebih Shatri, si sekretar i Përgjithshëm në këtë ministri dhe Besim Tahiri, si drejtor i Prokurimit Publik në MI, ngarkohen nga Prokuroria për keqpërdorim të detyrës zyrtare në bashkëkryerje, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ankesat e palëve u shqyrtuan nga kolegji i përbërë nga gjykatësit: Mentor Bajraktari (kryetar), Burim Ademi (gjyqtar referues), si dhe Ferit Osmani.
Ndërkaq, nga Prokuroria e Apelit dhe nga pala e dëmtuar-Avokatura Shtetërore, nuk ishte i pranishëm askush.
Mirëpo, gjykatësi Ademi bëri të ditur se Prokuroria e Apelit përmes ankesës ka kërkuar që të akuzuarit të dënohen me dënim maksimal, për veprat penale për të cilat janë shpallur fajtorë.
Sipas Ademit, mbrojtja e të akuzuarve Lekaj dhe Shatri, avokatët Artan Qerkini dhe Florent Latifaj, kanë parashtruar ankesat e tyre lidhur me të gjitha bazat ankimore.
Ai tha se ankesat e tyre pretendojnë për shkelje esenciale të Kodit të Procedurës Penale, shkelje të Ligjit Penal, vërtetimit të gabuar ose jo të plotë gjendjes faktike dhe për shkak të vendimit lidhur me sanksionin penal.
Kurse, mbrojtësi i të akuzuarit Tahiri, avokati Urim Vokshi ka ushtruar ankesë mbi shkelje esenciale të Kodit të Procedurës Penale, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe vendimit mbi dënimin.
Ndërkaq, për të akuzuarin Berisha, përveç ish-mbrojtësit të tij, avokatit Afrim Salihu, ankesë ka parashtruar edhe vetë i akuzuari Berisha.
Gjykatësi Ademi shkurtimisht edhe ka elaboruar pretendimet që mbrojtja ka paraqitur në ankesat e tyre, e më pas edhe vetë avokatët, si dhe i akuzuari Berisha.
Mes tjerash, avokati Qerkini tha se mungon aspekti i lidhjes kauzale dhe se rekomandimi nuk ka krijuar asnjë pasojë. Tha se gjetjet faktike nuk janë mbështetur në provat e administruara në shqyrtim gjyqësor.
Gjithashtu, Qerkini foli edhe rreth deklaratave të disa prej dëshmitarëve, e një prej të cilëve ishte edhe deklarata e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj.
Sipas avokatit Qerkini, konstatimi i shkallës së parë nënkupton se Lekaj e ka vendosur në lajthitje Haradinajn.
Ndërsa, tha se deklarata e Haradinajt thotë se ai vetë (Haradinaj) ka qenë pjesë e takimit në Komitetin Ndërministror (KDNM), ku pa vërejtje është dakorduar vlera prej 53 milionë euro dhe se pa miratimin e tij rasti do kalonte në Arbitrazh dhe puna do të ndërpritej.
Kështu, sipas Qerkinit vlerësimi i dëshmisë së Haradinajt paraqet vlerësim të gabuar të gjendjes faktike.
Ndërkaq, avokati Latifaj tha se aktgjykimi është konfuz në tërësi. Tha se gjetjet faktike janë në kundërshtim me atë që është zhvilluar në shqyrtim gjyqësor.
Latifaj theksoi se ata që është dashur të nënshkruajnë nuk janë ftuar nga Prokuroria, por se sipas tij mbrojtja i ka propozuar si dëshmitarë, duke shtuar se të njëjtit kanë deklaruar se kanë pasur të drejtë të mos nënshkruajnë.
I akuzuari Berisha, ndër të tjera ka pretenduar për disa shkelje nga ana e gjykatës e shkallës së parë, e që kishin të bënin edhe me manipulime me prova.
Po ashtu, ankesat kishin të bënin edhe me procesverbalet dhe konstatimet që janë bërë gjatë shqyrtimit gjyqësor.
Berisha theksoi se procesverbalet i kanë pranuar pas shumë ditësh e jo pas përfundimit të seancës, si dhe pretendoi edhe për shkelje në përmbajtje të atyre procesverbaleve.
Po ashtu, ai tha edhe se Gjykata konstaton se ky (Berisha) ka bërë fshehje të njohurive ndaj anëtarëve të KDNM-së, e që sipas tij ky si këshilltar e ka pasur epror vetëm Lekajn.
Berisha kërkoi se në rast të kthimit të kësaj çështjeje në rigjykim, rasti të gjykohet nga një trup tjetër gjykues.
Krejt në fund, ankesën e ka elaboruar edhe avokati Vokshi. Disa prej pretendimeve të tij kanë të bëjnë me mungesën e lidhjes kauzale dhe në lidhje me ekspertizën financiare.
Sipas avokatit Vokshi, në kohën kur është përpiluar ekspertiza financiare, Agim Sheqiri nuk ka qenë në listën e ekspertëve.
Sipas aktgjykimit të shpallur më 31 janar 2024, Pal Lekaj u dënua me 3 vite e 8 muaj burgim efektiv. Ndaj tij, gjykata shpalli edhe dënim plotësues, ndalimi i ushtrimit të funksionit publik në administratë publike ose në shërbimin publik në kohëzgjatje prej 3 vite e 6 muaj.
Nebih Shatri u dënua me 1 vit e 8 muaj burgim, kurse Besim Tahiri u dënua me 1 vit e 8 muaj burgim. Ndaj tyre u shpall edhe dënim plotësues, ndalim i ushtrimit të funksionit publik në administratë publike ose në shërbimin publik në kohëzgjatje prej 2 vitesh. Ndërsa, Eset Berisha u dënua me 3 vite e 3 muaj burgim.
Po ashtu, ndaj Berishës u shpall edhe dënimi plotësues ndalimi i ushtrimit të funksionit publik në administratë publike ose në shërbimin publik në kohëzgjatje prej 3 vitesh.
“Betimi për Drejtësi” kishte raportuar lidhur me përmbajtjen e vendimi të plotë të përpiluar nga Themelorja në Prishtinë, duke publikuar gjetjet e gjykatës nga mbrojtja e të akuzuarve dhe gjetjet nga deklaratat e dëshmitarëve.
Sipas aktakuzës së ngritur më 4 shkurt 2022 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, Pal Lekaj, në cilësinë e ministrit të Ministrisë së Infrastrukturës (MI), Eset Berisha, këshilltar i lartë politik i tij, Nebih Shatri, si sekretar i Përgjithshëm në këtë ministri, në bashkëveprim dhe me dashje edhe me të pandehurin Besim Tahiri, drejtor i Prokurimit Publik në MI, akuzoheshin për keqpërdorim të detyrës zyrtare me rastin e ndarjes së 53 milionë eurove për konsorciumin “Bechtel &Enka”, për ndërtimin e autostradës Prishtinë – Hani i Elezit apo e njohur ndryshe si autostrada “Arbën Xhaferi”.