Shfaqja “55 shades of gay” brenda muajit mars do të jepet prapë jashtë Kosovës. Pasi është dhënë tetë herë nga dita e 7-të deri më 17 mars në “Ellen Stewart Theatre” të klubit teatror “La MaMa” në New York, rrëfimi do të shpaloset edhe në Bernë të Zvicrës.
Më 28, 29 dhe 30 mars, produksioni teatror i qendrës “Multimedia”, me tekst të dramaturgut Jeton Neziraj e regji të Blerta Rrustemi-Nezirajt, do të jepet në teatrin “Schlachthaus”, shkruan sot “Koha Ditore”. Sipas njoftimit të “Multimedias”, në mars, pas përfundimit të shfaqjes po në këtë teatër do të mbahet edhe një koncert i këngëtares Edona Reshitaj.
Rrëfimi i shfaqjes që ishte dhënë premierë në Kosovë në shtator të vitit 2017, shpërfaq sesi një çift gay bën kërkesë për kurorëzim në një qytet provincial konservativ dhe thellësisht homofob. Kërkesa bëhet në kohën kur shoqata italiane “Don Bosco” ka nisur në qytet ndërtimin e një fabrike për prodhimin e prezervativëve, një projekt ky që është përkrahur financiarisht nga Bashkimi Evropian dhe që synon zvogëlimin e papunësisë në atë qytet ku papunësia shkon deri në 90 për qind.
Intelektualë, artistë, politikanë, përfaqësues të fesë e bombahedhës profesionistë angazhohen që kjo martesë të mos ndodhë, pavarësisht se martesa e çifteve të së njëjtës gjini lejohet me Kushtetutën e vendit, të cilën kryeministri e ka nënshkruar sipas udhëzimeve të BE-së.
Sipas përshkrimit që i është bërë, “55 shades of gay” është një rrëfim burlesk për politikat rreth komunitetit LGBTI në Ballkan dhe Evropë.