Në më pak se tri javë pas rishpërthimit të rasteve me Covid-19, nga ky virus janë prekur edhe 57 punëtorë shëndetësorë në Qendrat e Mjekësisë Familjare në Prishtinë.
Nga 19 tetori e deri më sot në QMF-të e kryeqytetit 57 punëtorë janë prekur me Covid-19, raporton Express.
E deri më tani në Kosovë nga Covid 19 janë prekur mijëra mjekë e infermierë.
Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu, ka deklaruar se deri më tani në Kosovë janë të infektuar mbi 700 mjekë. Ai ka thënë se tash është vonë të analizohen mundësitë e parandalimit të infeksionit dhe duhet mobilizim dhe veprime nga institucionet.
“Nuk është më koha e parandalimit, është koha e veprimit sepse këtë po tregojnë shifrat. Mendoj që kemi pas mundësinë të bëjmë më shumë në periudhën e armëpushimit që kemi pasur për një muaj e gjysmë afër dy muaj – kjo koha ka qenë për të bërë një analizë se si jemi sjellë ne si shoqëri gjatë asaj kohe, qeveria dhe institucionet shëndetësore se si ka shkuar menaxhimi me COVID-19 dhe të dalin me një përfundim”, tha ai.
Sejdu mes tjerash tha se mungesa e mjekëve si pasojë e infektimit me COVID-19 ka filluar të ndjehet.
“Tash duhet të shikojmë se çfarë mund të bëhet. Profesionistët edhe psiqikisht edhe me përvojë janë më të përgatitur dhe do ta marrin më me sportivitet dhe të menaxhohet më mirë”.
“Por janë elementet tjera që sigurisht do të reflektohen si lodhja, infektimi në mesin tonë, janë rreth 700 mjekë që kanë kaluar nëpër këtë periudhë, vetëm javën e kaluar kanë qenë shtatë anesteziologë që janë infektuar dhe që janë kyç në këtë luftë dhe mungesa e tyre vec ka filluar të shihet”.
Sejdiu mes tjerash tha se ka nevojë për bashkëpunim mes institucioneve.
“Ka nevojë për mobizilim dhe koordinim më të mirë ndër institucional”.