Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, sot ka përuruar shtatoren e Ukshin Hotit në universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren.
Krye-parlamentari Veseli ka thënë se ndihet i nderuar, që sot, në këtë vend të edukimit të brezave të ri, po përuron shtatoren e njërit prej personaliteteve më të shquar të luftës për liri dhe pavarësi.
“Ukshin Hoti ishte dhe mbeti deri në fund veprimtar i pa kompromis i lëvizjes sonë kombëtare për lirinë e Kosovës. Ai ishte ideologu, që me guximin e tij politik dhe mendimin e thellë intelektual frymëzonte këtë lëvizje. Ai ishte në kuptimin e plotë të fjalës filozofi i çështjes sonë kombëtare”, ka thënë krye parlamentari Veseli.
Kreu i Kuvendit ka thënë se në fillim të viteve ‘80 të shekullit të kaluar, kur terrori i regjimit jugosllav po përgjakte rininë e Kosovës, kur shumë kush e zgjodhi heshtjen dhe mbylljen e syve, Ukshin Hoti ngriti zërin e protestës dhe kundërshtimit.
“Ngriti zërin e protestës, sepse besonte fuqishëm se dija dhe intelektuali kanë kuptim vetëm duke qenë në shërbim të lirisë, dinjitetit njerëzor e kombëtar. Dhe Ukshin Hoti i qëndroj deri në fund këtij besimi. U përpoqën ta joshin me poste, por nuk e bën dot ideolog të sistemit. E burgosën, por nuk ia thyen dot përcaktimin intelektual e kombëtar”, ka thënë krye parlamentari Veseli.
Ai ka thënë se Ukshin Hoti ndoqi rrugën e Hasan Prishtinës.
“Ashtu si Hasan Prishtina, ai në vend të posteve zgjodhi rrugën e disidencës”, ka thënë Veseli.
Amensty International, në vitin 1983 e kishte shpallur Ukshin Hotin të burgosur të ndërgjegjes.
Në këtë mënyrë, Veseli tha se emri i tij iu bashkua listës së gjatë të disidentëve që po luftonin për liritë njerëzore gjithandej botës komuniste.
“Në vitet ‘90 kur lëvizja jonë kombëtare po përgatiste formimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, regjimi përsëri e burgosi Ukshin Hotin. E izoluan, sepse e dinin shumë mirë se filozofi i çështjes shqiptare do të bëhej zëri i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Por, përsëri dështuan. Dështuan, sepse tashmë Ukshin Hoti ishte kthyer në ikonë të lëvizjes sonë kombëtare”, ka thënë kreu i Kuvendit, Kadri Veseli.
Krye parlamentari Veseli ka thënë se Kosova sot është e lirë, shtet i pavarur dhe sovran, por plagët e luftës ende nuk na janë shëruar.
“Janë më mijëra qytetarë të pagjetur Kosovës, për fatin e të cilëve ende shteti serb nuk jep përgjigje se ku janë. Në mesin e tyre është edhe profesori Ukshin Hoti. Ne nuk do të ndalemi asnjëherë derisa të dihet fati i tyre dhe të vendoset drejtësia për ta dhe për Ukshin Hotin”, ka thënë ai.
Kreu i Kuvendit ka thënë se duhet të punojmë shumë, pa u lodhur asnjëherë, për ta forcuar shtetin, për ta zhvilluar ekonominë dhe për t’i fuqizuar universitetet tona, në mënyrë që t’iu krijojmë perspektivë të sigurt të rinjve tanë në Kosovë.