Virusi sezonal ka filluar të marrë përmasa shqetësuese në vend, kryesisht në kryeqytetin kosovarë, ku numri i të infektuarve me grip ka kaluar mbi 6000, sipas të dhënave të Qendrave të Mjekësisë Familjare të Prishtinës.
Për më tepër, ky virus, që druhet të marrë përmasa të epidemisë në Kosovës, ka vështirësuar edhe punën në Qendrat mjekësore, për shkak të fluksit të madh të të prekurve, të cilat stafi i QKMF’ve në Prishtinë po e ka të vështirë t’i përballojë.
Për këtë ‘epidemi’, së fundi, ka reaguar edhe kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, i cili për më tepër ka kërkuar nga qytetarët mirëkuptim dhe konsideratë për stafin shëndetësor, i cili, sipas tij, është duke dhënë maksimumin, derisa të kalojë kjo periudhë që Ahmeti e konsideron si të vështirë për të gjithë.
“Në muajin e fundit, për shkak të virozave sezonale (gripit sezonal), kemi një fluks shumë të shtuar nëpër Qendrat e Mjekësisë Familjare në Komunën e Prishtinës. Ky fluks që ka marrë gati përmasat e një epidemie nga gripi, po vështirëson shumë qasjen dhe kryerjen e shërbimeve të shpejta nëpër Qendrat e Mjekësisë Familjare, por edhe punën e personelit shëndetësor nëpër këto Qendra. Pavarësisht përkushtimit të jashtëzakonshëm të stafit, është shumë e vështirë që të përballet me qindra qytetarë nëpër çdo Qendër gjatë ditës”, ka shkruar i pari i Prishtinës.
“Vetëm në repartin e Pediatrisë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, muajin e fundit ka pasur rreth 6000 pacientë. Në Qendrën e Mjekësisë Familjare Nr.5 gjatë një muaji ka pasur mbi 600 dhënie infuzionesh dhe mbi 2500 injeksione në mënyrë që në asnjë moment pacientët të mos referohen dhe mal-tretohen në qendra tjera. Kjo situatë është e njëjtë edhe në Qendrat e tjera të Mjekësisë Familjare. Duke pasur parasysh edhe numrin e pamjaftueshëm të personelit shëndetësor dhe fluksin edhe nga pacientë nga Komunat tjera, kjo po e shton akoma më shumë këtë problem”, ka reaguar Shpend Ahmeti në facebook.