Mbrëmjen e mërkurës së 15 prillit, një 80-vjeçar nga fshati Studenicë i komunës së Istogut ka rezultuar pozitiv në testimet për koronavirus. Drejtori i Shëndetësisë në këtë komunë, ka thënë për Express se janë në pritje të rezultateve të familjarëve të 80-vjeçarit, mostrat e të cilëve janë marrë nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës
Gjashtë persona nga fshati Studenicë i Istogut janë në pritje të rezultateve për të parë nëse janë prekur me COVID-19 apo jo.
Kjo pasi një familjar i tyre ka rezultuar pozitiv në testimet për koronavirus, para pesë ditësh.
80-vjeçari nga Studenica kishte shkuar për një kontrollë mjekësore në QKMF0në e Pejës, e nga aty e kishin dërguar në Prishtinë për t’u testuar për koronavirus, ku edhe rezultoi pozitiv.
Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës ka gjurmuar kontaktet e para që ka pasur 80-vjeçari, nga ku u janë marrë mostrat gjashtë familjarëve të tij.
Drejtori i Shëndetësisë në komunën e Istogut, Mujë Osmanaj, ka treguar për Express se gjatë ditës së sotme pritet të dalin rezultatet e këtyre mostrave.
“Jemi në pritje të rezultateve të 6 personave të cilët janë familjarë të 80-vjeçarit nga Studenica i cili ka dalë pozitivpara disa ditësh. Pra janë gjurmuar kontaktet e para të tij dhe deri më tani i kemi këta 6 persona të cilët janë testuar dhe po i presin rezultatet”, ka thënë Osmanaj.
Osmanaj ka treguar se nga fshati Cerkolez i Istogut janë dy persona të komunitetit serb të cilët dyshohet se kanë pasur kontakt me një familjar të tyre nga Zubin Potoku i cili ka rezultuar pozitiv me COVID-19.
“Janë dy persona nga Cerkolezi, nëna dhe djali i saj, të cilët dyshohet se kanë pasur kontakt me familjarin e tyre, djalin, përkatësisht vëllain, nga Zubin Potoku i cili ka dalë pozitiv me COVID-19. IKSHPK-ja i ka kontaktuar në telefon, por nuk janë përgjigjur. Megjithatë ata po qëndrojnë të izoluar pasi i kemi vizituar bashkë me policinë”, ka thënë Osmanaj për Express.
Osmanaj theksoi se QKMF’të e Istogut momentalisht qëndrojnë mirë në furnizimin me materiale shpenzuese.
Ai po ashtu tha se qytetarët e Istogut po i respektojnë masat e qeverisë për të qëndruar në shtëpi dhe daljen 90 minutëshe.
Ndërkohë numri total i personave të prekur me koronavirus në Kosovë ka shkuar në 561. Të shëruar janë 102, ndërkaq 12 persona kanë ndërruar jetë.
Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës vazhdimisht po apelon tek qytetarët që t’i respektojnë masat. Të qëndrojnë në shtëpi dhe të mbajnë higjienën.