Në lagjen ‘Dardania’ në qytetin e Gjakovës një fëmijë gjashtë vjeçar ka marrë lëndime të rënda pasi është goditur nga një makinë
Në orët e hershmet të ditës së sotme, një 6 vjeçar është goditur nga një veturë dhe ka marrë lëndime të rënda.
Fillimisht ai është dërguar në spitalin e Gjakovës, por me të parë plagët e rënda ai është dërguar për në QKUK në Prishtinë.
Personi i dyshuar i cili ka qenë duke drejtuar makinën është ndalur nga policia me urdhër të Prokurorit.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e stacionit policor në Gjakovë, Lirie Podrimaj.
“Sot, në ora 08:50, stacioni policor në Gjakovë ka marrë informacion për një aksident komunikacioni në rrugën ‘Pashko Vasa’ në lagjen ‘Dardania’ në Gjakovë. Me të marrë informacionin, patrullat policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes me ç’ rast kanë kuptuar se përderisa një automjet ka qenë në lëvizje kishte goditur një këmbësor, fëmijë të moshës gjashtëvjeçare, i cili pas dhënies së parë në spitalin rajonal ‘Isa Grezda’ në Gjakovë, për shkak të lëndimeve të rënda, është transferuar për trajtim të mëtutjeshëm në QKUK. Personi i dyshuar me urdhër të prokurorit të shtetit mbahet në ndalim policor”, tha Podrimaj./