Organizata “Nëna dhe Fëmijë të Lumtur”, falë ndihmës së shumë donatorëve ka arritur që të grumbullojë 600 çanta ma pajisje shkollore për fëmijët me gjendje të vështirë ekonomike.
Edita Dula, udhëheqëse e kësaj organizate në një prononcim për Ekonomia Online tha se në kuadër të kampanjës “Shtatori sivjet me çantën komplet” kanë mbledhur 600 çanta, por që kjo shifër është më e vogël se vitin e kaluar kur kishin grumbulluar 3 mijë çanta.
“Shtatori sivjet me çantën komplet, është viti i gjashtë që e zhvillojmë këtë kampanjë e cila është shumë e mirë, pasi për fëmijët e familjeve në nevojë është shumë e nevojshme, pasi të gjithë presin një çantë nga ne në shtator. Krahasim me vitet e kaluara siç kemi mbledhur nga 3 mijë çanta sepse numri është i madh i të regjistruarve në shoqatë, e sivjet kemi pasur një numër pak më të vogël që ndoshta këtu ka ndikuar edhe situata me pandeminë që pak kemi një numër pak më të vogël dhe po presim që edhe kompani tjera të na bashkohen”.
“Po tash nuk e dimë në total numrin pasi kemi shumë familje të regjistruar, afër 700, e afër 300 numri i nënave të vetme që i kemi përparësi në shpërndarjen e këtyre çantave. Sivjet deri tash numri ka arritur deri në 600 dhe po presim akoma”, tha Dula.
Tutje ajo thotë se është ndjenjë e veçantë kur shohin që nënat vetushqyese e fëmijët në nevojë vijnë e i marrin këto çanta dhe mësimi nis ndryshe për ta, raporton EO.
“Është shumë ndjenjë e mirë sidomos për fëmijët që vinë në klasë të parë dhe janë regjistruar sivjet, ku ata me shumë kënaqësi vinë me i marrë çantat dhe mundohemi me ba më të mirën e mundshme. Emocionohemi shumë atë ditë të dhurimit sepse kur shohim ata fëmijë tek dera, ne kemi pasur me i shpërnda në fund të gushtit, por tashmë dihet që është shtyer data e fillimit të shkollave, po presim me vazhdu deri sa të nis mësimi”, theksoi tutje ajo.
Ajo bëri thirrje që të shtohen edhe më shumë njerëz që dhurojnë çanta dhe gëzojën fëmijët, duke falenderuar të gjithë ata që kanë ndihmuar deri tani për këtë kampanjë.
“Është e lodhshme sepse këtu ka shumë vullnetarë dhe shoqëri që punojnë me shpirt dhe me shumë kënaqësi, dhe i punojnë të gjitha detajet. Kemi një problem që ka familje me nga pesë fëmijë sepse është e pamundur që aq me i grumbulluar”.