Në komunën e Vitisë është duke vazhduar vaksinimi i qenve shtëpiakë kundër tërbimit dhe ekinokokozës. Deri tani janë vaksinuar rreth 600 qen shtëpiakë.
Komuna për çdo qen që vaksinohet paguan 2 euro ndërkaq Agjencioni i Ushqimit dhe Veterinarisë ofron vaksinën. Drejtori i Inspeksionit në këtë komunë, Skënder Ahmeti deklaron se veterinerët të cilët janë të angazhuar kanë edhe databazën për qentë shtëpiakë.
“Diku deri tash i kemi vaksinuar rreth 600 qen kundër tërbimit dhe ekinokokozës. Është duke vazhduar aksioni. Sot prapë kanë shkuar që të marrin vaksina në Agjencionin të Ushqimit dhe Veterinës. Do të vazhdojë edhe për disa ditë në mënyrë që të rrumbullakojmë procesin në komunën e Vitisë” ka thënë ai.
Sipas tij, komunat në bazë të ligjit duhet të implementojnë projektin e vaksinimit të qenve kundër tërbimit dhe ekinokokozës.
Ai ka shtuar në këtë komunë është bërë trajtimi edhe i qenve endacak ku përfshihet kastrimi dhe sterilizimi i tyre.