Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik bën të ditur se numri total i rasteve pozitive është 60.500 raste nga 235.724 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 1.503 raste të vdekjes.
IKSHPK njofton se gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 184 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 52.621 raste, kurse numri i rasteve aktive është 6.376.
Instituti ka bërë të ditur ditë më parë për raste edhe me variantin e ri të coronavirusit.
IKSHPK ka bërë thirrje qytetarëve që të respektohen masat antiCOVID-19.
“Duke pasur parasysh shfaqjen e rasteve te reja me variantin e ri të virusit SARS CoV-2 në Kosovë dhe vlerësimin e situatës aktuale me COVID -19, IKSHPK përsërit thirrjen për zbatimin e të gjitha masave të përgjithshme dhe specifike për mbrojtjen nga pandemia COVID-19.
Masat parandaluese janë të njëjta me aksent të veçantë se personat pozitiv duhet të qëndrojnë në shtëpi për të parandaluar përhapjen në familje dhe në komunitet. Me zvogëlimin e kontakteve, do ta bëjmë të mundur ndërprerjen e përhapjes së infeksionit”.
“IKSHPK apelon tek të gjithë qytetarët, institucionet dhe organizatat publike dhe private, për respektimin dhe ndërmarrjen e të gjitha masave të nevojshme për parandalimin, menaxhimin dhe kontrollin e infeksionit COVID-19, duke marrë parasysh dispozitat e Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19, dhe vendimet në fuqi mbi masat dhe obligimet e institucioneve për zbatimin e masave të përgjithshme dhe specifike për mbrojtjen nga pandemia COVID-19.
Në veçanti, bëjmë thirrje për zbatimin e rekomandimeve dhe respektimin e masave kufizuese për aktivitetet publike, përkatësisht kufizimeve për grumbullimin e qytetarëve dhe tubimeve publike”.