Bizneset vlerësojnë rolin e Qeverisë për zhvillimin ekonomik e social

Prishtinë | 15 Kor 2016 | 16:53 | Nga

Pas takimit me kryeministrin e Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, drejtuesit e Odës Ekonomike të Kosovës, duke iu referuar trendeve të fundit, thanë se në Kosovë po lind një epokë e re optimizmit, një epokë e re e zhvillimit ekonomik, social dhe integrues dhe se vitet 2015, 2016 mund të shpallen si vite të dialogut dhe të komunikimit publiko-privat, ku të gjitha kërkesat e sektorit privat janë adresuar.

Në takim ishin të pranishëm edhe ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami dhe ministri i Financave, Avdullah Hoti.

Kryeministri Isa Mustafa, pas takimit me delegacioni i OEK-ut të prirë nga kryetari Safet Gërxhaliu, tha se kanë biseduar lidhur me indikatorët matës të tendencës në bizneset e Kosovës për trendet e tremujorit të dytë.

“Oda Ekonomike ka konstatuar se trendët janë më të mira se sa që kanë qenë në periudhat e kaluara kohore, se po rritet disponimi dhe besueshmëria e bizneseve për të ardhmen, që është një faktor shumë i rëndësishëm për ne. Po ashtu kemi një rritje të besimit të bizneseve, por edhe të qytetarëve dhe për mundësitë e punësimit në periudhën e ardhshme kohore, por edhe për perspektivën e biznesit. Biseduam edhe për çështjet konkrete që kanë të bëjnë me të bërit biznes në Kosovë. Konstatuam bashkërisht që bashkëpunimi është shumë i mirë, sepse kemi hapur procesin e dialogut me bizneset përmes asociacioneve të bizneseve, në këtë rast përmes Odës Ekonomike të Kosovës, por edhe Odave të tjera, me të cilat kemi biseduar disa herë, por edhe do të bisedojmë edhe më tutje”, tha kryeministri.

Kryeministri Mustafa tha se ka hapësirë edhe më tutje që të punohet, veçmas sa i përket barazimit të kushteve të konkurrencës së prodhuesve të brendshëm.

“Ka ankesa që ende në tenderët publike nuk nxiten dhe stimulohet mjaft shumë prodhimtaria dhe produktet e brendshme dhe ato nganjëherë pa të drejtë po largohen nga konkurrenca karshi importimit të produkteve të jashtme, përkundër faktit se në kuadër të standardeve dhe cilësisë i plotësojnë të gjitha kushtet, por duhet të kemi kujdes në shpenzimin e parasë publike, të krijojmë kushte tërësisht të barabarta, të trajtojmë më shumë prodhimtarinë e brendshme. Po ashtu, u morëm vesh që edhe në pikëpamje të ndërtimit të legjislaturës së jashtme, të ndryshimit dhe plotësimit të ligjeve, të gjitha t’i bëjmë në harmoni me konsultën dhe propozimet e komunitetit të biznesit, në mënyrë që të lehtësojmë të bërit biznes”, tha kryeministri Mustafa.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, tha se gjatë takimit u bisedua për shumë çështje substanciale.

“Shpalosëm të gjeturat që Oda Ekonomike bënë çdo tre muaj sa i përket konjekturës së të bërit biznes në Kosovë, dhe ajo çka është më interesante, në qoftë se prek në dimensione kohore tre mujore, po lind një epokë e re optimizmit, një epokë e re e konotacionit edhe ekonomik, edhe social, edhe integrues, dhe besoj se vitet 2015-16 lirisht mund të shpallen si vite të dialogut dhe të komunikimit publiko-privat, ku definitisht të gjitha kërkesat e sektorit privat janë adresuar, janë shqyrtuar, dhe falë një dialogu të tillë të mirëfilltë, sot e kemi këtë realitet që e kemi”, tha ai.

Gërxhaliu po ashtu theksoi se ka hapa pozitiv dhe se kjo periudhë kohore karakterizohet me një ndalim të hovshëm të tenderomanisë masive, me një disiplinë financiare që është shembull edhe për vendet e rajonit.

“Në këtë drejtim vetë fakti që e kemi këtë urë të komunikimit dhe ngritje të hyrave përmes doganave dhe administratës tatimore, e dëshmon më së mirë se sa qenka i rëndësishëm komunikimi dhe dialogu në këtë drejtim. Është e vërtetë që në aspektin ligjor duhet të ketë ndryshime dhe në këtë drejtim ne do të bëjmë çmos, por kërkuam që, definitivisht, bazuar në përvojën e vendeve të rajonit dhe në Evropë, të analizohet mundësia e rishikimit dhe e ridraftimit të Ligjit për Tregti të Brendshme, ku do të ketë një qasje më pragmatike karshi mbështetjes së prodhimit vendor, jo vetëm aspektit verbal por edhe ligjor dhe pragmatik, që prodhimi vendor të marrë atë të merituarën”, tha Gërxhaliu, duke theksuar përkushtimin për bashkëpunim të mëtejmë dhe partneritet i cili gjeneron në zhvillim ekonomik dhe mirëqenie sociale.

a1ab890d-ab61-4aa4-b4d3-f494fb924c7c

56bcdbaa-cc97-4828-b318-ad0518b2db26

Të ngjashme