12 banorë të fshatit Topanicë të komunës së Kamenicës janë prekur me virusin COVID-19 gjatë kësaj jave. Rasti i parë u shënua të hënën e 29 marsit. Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës mori mostrat e 17 personave që dyshohej se kishin kontakte me të prekurin e parë. Familjarët e ngushtë, e më pas edhe anëtarët e familjes me të gjerë, e po ashtu një shok i të infektuarit të parë, janë 11 të infektuarit e tjerë nga Topanica.
Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, ka treguar për Gazetën Express se tashmë janë në përpilim të listave të kontakteve që këta persona kanë mundur të kenë me banorët e tjerë. Ai ka theksuar se tashmë një listë me 69 emra është në duart e IKSHKP’së, në pritje për t’u testuar
69 persona të cilët dyshohet se kanë pasur kontakt ndonjërin prej 12 personave të infektuar nga Topanica, po presin të testohen nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, për të parë nëse janë prekur me virusin COVID-19.
10 anëtarë të familjes së ngushtë e të gjerë të personit të parë që doli pozitiv në testin për COVID-19 dhe një shok i tij, kanë pasur kontakte edhe me njerëz të tjerë, duke mos e ditur se vetë janë të prekur nga koronavirusi.
Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, ka thënë për Express se është formuluar lista e parë me kontaktet e mundshme të të prekurve me COVID-19, e këta persona do të testohen sa më shpejt që është e mundur.
“Jemi në përpilimin e listës së dytë të kontakteve edhe të familjarëve, jemi te një numër prej 69 personave, por do të rritet në vazhdim, duke përfshirë edhe stafin mjekësor të cilët kanë shkuar dhe iu kanë ofruar shërbime mjekësore në shtëpitë e tyre më herët. Institutit ia kemi dorëzuar listën prej 69 personave, sot ose nesër bëhet një grup prej tyre”, ka deklaruar Kastrati.
Kastrati ka treguar se si erdhi deri tek konfirmimi me virus i banorit të parë nga Topanica.
“Qytetari i parë që është identifiku COVID-19, është qytetar nga Topanica që punon shofer i një linje të autobusëve Kosovë-Gjermani. Ai në Kosovë ka hy më 18 mars, është rekomanduar të qëndrojë i vetizoluar. Gjatë kësaj kohe, ka pasë ndonjëherëe prej tij interesim me iu bë testi, por për shkak që s’ka pasur simptoma, Instituti ka konsideru se duhet me pritë nëse po i paraqëiten simptoma. Pas 12 ditësh, edhe pse prapë s’ka shfaqë simptoma, kemi insistu ne dhe ai që t’i bëhet testi dhe ka rezultu pozitiv,”, ka treguar Kastrati për Express.
Ai ka theksuar se perosni i parë nga Topanica që u konfirmua me virusin COVID-19, po qëndron i shtrirë në Klinikën Infektive të QKUK-së që nga data 29 mars.
Ndërkohë, nga rrethi familjar i tij, u konfirmuan të prekur me koronavirus edhe 10 persona të tjerë.
Më i riu nga kjo familje është një foshnjë 5 muajsh, e më i vjetri një burrë 72-vjeçar.
Kastrati ka treguar se shumica e këtyre familjarëve po qëndrojnë në shtëpi, edhe pas konfirmimit me koronavirus.
“Prej 11personave që kanë rezultuar pozitivë, më i riu është një fioshnjë 5 muajshe dhe më i vjetri është një 72-vjeçar, i cili fatmirësisht nuk vuan nga ndonjë sëmundje kronike. Shumica e eprsonave tjerë të prekur janë të rinj në moshë. 72-vjeçari dhe foshnja janë në Infektivë, ndërsa të tjerët në shtëpi”, ka theksuar Kastrati.
Ndërkohë, Kastrati ka bërë të ditur se për gjendjen e personave të prekur me koronavirus që po qëndrojnë në shtëpi, po përkujdeset komuna, QKMF-ja dhe IKSHPK-ja.
Ai ka theksur se komuna ka angazhuar edhe një psikolog i cili po i kontakton ata vazhdimisht.
Kastrati ka thënë se rastet e konfirmuara me COVID-19 në Topanicë po dëshmojnë më së miri se si qytetarët mund të preken nga ky virus dhe të mos jenë në dijeni, pasi nuk kanë simptoma.
Derisa ka bërë të ditur se gjendja në tërë komunën e Kamenicës është nën kontroll.
“Mund të themi se e kemi pasur fatin të jemi të fundit që e kemi identifiku dikë të prekur me COVID-19, prandaj edhe kemi stabilitet në furnizimet e nevojshme. Por, në anën tjetër problem po ka policia, pasi po duhet t’u sigurojmë pajisje mbrojtëse, vetura, shpenzime të derivateve, duke pasë parasysh se jemi komunë kufitare dhe kemi policinë kufitare. Kjo është një prej sfidave që kemi, por po mundihemi të bëjmë zgjidhje për shkak të situatës në të cilën ndodhemi”, ka theksuar Kastrati.
Kujtojmë se fshati Topanicë e komunës së Kamenicës që nga e marta është shpallur zponë karantinë, nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike.
Sipas vendimit, kjo masë vendoset për shkak që qytetarët kanë pasur kontakt direkt me personin i cili rezultoi pozitiv me koronavirus.
“Fshati Topanicë, Komuna e Kamenicës shpallet zonë karantinë pasi që banorët e këtyre fshatrave dyshohen se kanë pasur kontakt të drejtpërdrejtë me personat e infektuar me coronavirus COVID-19”, thuhet në vendim.
Ndryshe, numri i personave të infektuar me COVID-19 në Kosovë ka shkuar në 125.
Megjithatë, deri më tani janë shëruar 10 nga 125 të infektuarit.
Derisa tashmë në vend është shënuar edhe viktima e parë nga koronavirusi.