Me organizim të Odës Ekonomike të Kosovës (OEK) dhe mbështetje nga Qeveria e Kosovës, sot është hapur edicioni i 19-të tradicional i Panairit të Përgjithshëm Ndërkombëtar “Prishtina 2018”. Panairi mbahet prej datës 18 deri më 21 prill, në Qendrën e Panaireve në fshatin Shkabaj.
Në këtë panair, prodhimet dhe shërbimet e tyre do t’i ekspozojnë 174 kompani të ndryshme. 88 prej tyre janë nga Kosova, ndërsa 86 të huaja.
Këto biznese vendëse dhe ndërkombëtare janë nga sektorë të ndryshëm të prodhimit, përpunimit, bujqësisë, shërbimeve, tregtisë dhe zejtarisë.
70 kompani pjesëmarrëse janë nga Serbia, ndërsa vetëm një nga Shqipëria, raporton Ekonomia Online.
Në ceremoninë e hapjes solemne, kanë marrë pjesë ministra kosovarë, ambasadorë, përfaqësues të odave ekonomike dhe biznesmenë.
I pranishëm në hapjen solemne ishte dhe kreu i Odës Ekonomike të Serbisë, Marko Çadezh.
Kryetari i OEK-ut, Safet Gërxhaliu, tha se në këtë panair promovohen vlerat e ndërmarrësisë dhe Integrimit Evropian.
Ai tha se beson që nga ky panair do të dalë një mesazh për të ndërtuar të ardhmen.
“Agjenda politike vitetve të fundit i ka lënë në hije aktivitetet ekonomike. Sot me praninë e juaj Prishtinën e keni shndërruar në kryeqytet të Ballkanit Perëndimor për aktivitete ekonomike. Promovohen vlerat e ndërmarrësisë dhe Integrimit Evropian, kjo i jep ekonomisë kuptim më ndryshe, por mbi të gjitha mund të sigurojë garancë politike dhe ekonomike, si dhe të ndryshojë percepcionin. Kemi numer të madh të kompanive, nga ndërtimtaria, IT-ja, etj. Dua të besoj që nga ky panair do të dal një mesazh, ndërtojeni ardhmërinë”.
Gërxhaliu ka kërkuar sërish që politika të ndahet nga ekonomia, raporton EO.
Ai shtoi se ky panair po mbahet në kohën kur ështe prezanuar edhe Raporti i Progresit për Kosovën.
“Ta ndajmë politikën prej ekonomisë. Ardhmëria duhet të jetë e dedikuar në këtë drejtim.Ky panair po ndodh në ditën kur është prezantuar Raporti i progresit, në ditën kur ka pasur kritika për ngecje. Sot po promovojmë vlera. Ky është panairi i fundit në panair si kryetar i Odës, sepse në Odë së shpejti do të ketë zgjedhje”.
Çadezh: Duhet ta promovojmë bashkëpunimin dhe suksesin në rajon, në vend të konfliktit
Kreu i Odës Ekonomike të Serbisë, Marko Çadezh, theksoi se është e rëndësishme që kompanitë të bashkëpunojnë mes vete dhe se Oda e Serbisë, së bashku me Odën e Kosovës dëshirojnë ta promovojë këtë rajon si një rajon i bashkëpunimit dhe suksesit, në vend të konfliktit.
Ai tha se këtë herë, në panair ka kryesisht kompani të vogla dhe të mesme, të cilët kanë diçka për të treguar dhe ndoshta të gjejnë partnerë. “Ne presim një bashkëpunim më të mirë, megjithëse nuk është aspak keq, pasi tashmë kemi kompani të mira që tashmë e kanë gjetur tregun këtu. Ne ndihmojmë kompanitë që të gjejnë treg këtu”.
Ndërkohë, ai paralajmëroi 70 kompani nga Kosova pritet që muajin e ardhshëm, në maj, të marrin pjesë në Panairin e Bujqësisë në Novi Sad. “Pra, kjo nuk është një rrugë njëkahëshe. Ne kemi nevojë për të balancuar shkëmbimet tregtare në të dy anët. Është e rëndësishme që këta njerëz së bashku të gjejnë punë dhe të bëjnë investime”, tha Cadezh.