71 vite burgim ndaj të akuzuarve për vrasjen e kushëririt në Sadovinë të Çerkezëve

Gjilan | 21 Mar 2022 | 14:52 | Nga Ekonomia Online

Gjykata Themelore në Gjilan ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarve Besmir, Samet, Fisnik, Ismet dhe Hizri Ismajli, duke i dënuar me 71 vite burgim për vrasje të rëndë dhe lëndim të lehtë trupor.

Shpallja e aktgjykimit ndaj të njëjtëve është bërë të hënën nga kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Sabedin Mushica, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Sipas aktgjykimit, të akuzuarit Besmir, Samet dhe Fisnik Ismjali për veprën penale “Vrasje e rëndë” secili veç e veç janë dënuar me dënim prej 21 viteve burgim, dënime të cilat do të ekzekutohen pasi që aktgjykimi të marrë formën e prerë.

Po ashtu, sipas aktgjykimit të akuzuarit Ismet dhe Izri Ismjali për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”, secili veç e veç janë dënuar me dënim me burg prej 4 viteve, të cilat dënime do të ekzekutohen pasi që aktgjykimi të marrë formën e prerë.

Ndërsa, i akuzuari Edmond Ismjali për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor” është liruar nga akuzat.

Palët e dëmtuara për realizimin e kërkesës pasurore juridike janë udhëzuar në kontest të rregullt juridik.

Gjyqtari Mushica ka njoftuar se të akuzuarve Besmir, Samet dhe Fisnik Ismjali pas shpalljes së aktgjykimit iu vazhdohet masa e paraburgimit derisa aktgjykimi të bëhet i formës së prerë.

Tutje sipas aktgjykimit, koha e kaluar në paraburgim të akuzuarve do t’iu llogaritet në dënimin e shqiptuar me burgim.

Ndaj të akuzuarve Ismet dhe Hizri Ismjali masa e paraburgimit pas vendimit të gjykatës i është ndërprerë sot.

Po ashtu, sipas aktgjykimit edhe ndaj të akuzuarit Edmond Ismjali masa e paraqitjes në stacion policor i është ndërprerë sot.

Gjyqtari ka njoftuar se palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në afat prej 15 ditësh në Gjykatën e Apelit.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Gjilan, në nëntor të 2019-ës, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve Besmir, Samet, Fisnik, Ismet dhe Hizri Ismajli, me arsyetimin se të njëjtit, në maj të vitit 2019, në fshatin Sadovinë e Çerkezëve, Komuna e Vitisë, me dashje dhe në bashkëkryerje, për motive pasurore-pronësore, kanë privuar nga jeta tani të ndjerin M.I.

Sipas aktit akuzues, kjo ka ndodhur në atë mënyrë që të akuzuarit fillimisht shkojnë për të punuar në pronën kontestuese, e cila gjendet në afërsi të shtëpisë së tani të ndjerit M.I, me këtë rast ky i fundit me familjarët e tij dalin për të biseduar lidhur me arritjen e një marrëveshjeje, për çka këta të fundit refuzojnë, e që më pas vazhdojnë me fyerje, të cilat sjellin eskalimin e situatës deri në konflikt fizik.

Gjithnjë sipas aktakuzës, të pandehurit me mjete të forta si drunj dhe shufra metalike, e godasin tani të ndjerin në pjesë të ndryshme të trupit, duke i shkaktuar gërvishtje dhe gërvishtje lëkurore, për çka i njëjti nga familjarët transportohet në Shtëpinë e Shëndetit në Viti, e më pas si rast urgjent dërgohet në Qendrën Emergjente të Spitalit Regjional në Gjilan.

Pas kësaj, sipas aktakuzës, i ndjeri transferohet në QKUK në Prishtinë, ku edhe konstatohet vdekja e tij si rezultat i gjakderdhjes masive në kokë, e shkaktuar nga përdorimi i mjeteve të forta.

Në këtë drejtim, prokuroria pretendon se të akuzuarit në fjalë kanë kryer veprën penale në bashkëkryerje “Vrasje e rëndë”, nga neni 173, paragrafi 1, nënparagrafi 1.6, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me jo më pak se 10 vjet burgim ose me burgim të përjetshëm.

Tutje sipas aktit akuzues, i pandehuri Edmond Ismajli, për shkak të një mosmarrëveshje rreth një kontesti pronësor me përdorimin e atëçastshëm të dhunës, në kohë dhe vend si në dispozitivin e parë, me dashje u ka shkaktuar lëndime trupore Ismet dhe Fisnik Ismajlit, në atë mënyrë që gjatë kacafytjeve, me një lopatë i godet të dëmtuarit dhe u shkakton atyre ndrydhje të indeve.

Për këtë, ai po akuzohet se ka kryer veprën penale “Lëndim i lehtë trupor” nga neni 185, paragrafi 2, lidhur me paragrafin 1, nënparagrafi 1.4 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme deri me tre vite burgim. 

Të ngjashme