Në kuadër të aktiviteteve për 74-vjetorin e themelimit të Arkivit të Kosovës, është organizuar “Java e Arkivit të Hapur”, gjatë së cilës është lansuar sistemi elektronik i menaxhimit të materialit arkivor, raporton Ekonomia Online.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, theksoi rëndësinë e arkivave si institucione që mbrojnë trashëgiminë dokumentare të vendit.
Ai njoftoi se, në kuadër të projektit të digjitalizimit masiv gjatë vitit 2024, janë digjitalizuar 2.5 milionë dokumente arkivore, duke tejkaluar ndjeshëm shifrat e 15 viteve të mëparshme.
Kryeministri premtoi gjithashtu se ky numër do të dyfishohet, duke synuar që shumë shpejt të arrihet shifra prej 5 milionë dokumenteve të digjitalizuara.
“Arkivat janë gardianë të trashëgimisë dokumentare. Ky lloj trashëgimie përbën një testament themelor të kulturës dhe kujtesës sonë historike, e cila duhet t’u transmetohet brezave të ardhshëm në gjendjen më të mirë të mundshme. Arkivat janë qendra që mbajnë përgjegjësinë për trajtimin, ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë dokumentare të një shteti”.
“Sistemin shtetëror arkivor e kemi trajtuar me vëmendjen që e meriton, duke e konsideruar si një sektor me rëndësi kombëtare. Në mandatin tonë qeverisës, angazhimi për Agjencinë është përqendruar në gjashtë fusha kryesore të ndërhyrjeve dhe investimeve tona në sistemin arkivor”.
“Me projektin e digjitalizimit masiv në vitin 2024, janë digjitalizuar 2.5 milionë dokumente arkivore. Për krahasim, në 15 vitet e mëparshme ishin digjitalizuar pak më shumë se 1 milion dokumente arkivore. Së shpejti, ky numër do të arrijë në totalin prej 5 milionë dokumentesh të digjitalizuara”, ka thënë Kurti.
Drejtori Ekzekutiv i ASHAK-së, Bislim Bislimi, ka thënë se me punë dhe përkushtim për këto vite kjo agjenci ka digjitalizuar miliona dokumente arkivore.
Ai ka thënë se vitin e kaluar, falë bashkëpunimit me Policinë e Kosovës, kanë rikthyer nën kontrollin ligjor të Agjencisë materialin arkivor që mbahej nga strukturat e paligjshme në veri që financoheshin e organizoheshin nga Serbia.
“Kur jemi tek komunat veriore, vitin e kaluar, falë bashkëpunimit me Policinë e Kosovës, rikthyem nën kontrollin ligjor të Agjencisë materialin arkivor që mbahej nga strukturat e paligjshme në veri që financoheshin e organizoheshin nga Serbia”.
“Krijimi i kushteve për pranimin e më shumë se 25 kilometrave apo mbi 250 milionë dokumenteve arkivore që ndodhet jashtë Agjencisë, pra që është dy herë më shumë se sa sasia që e menaxhojmë aktualisht, është kryesfida e radhës e cila sasi nuk mund të pranohet, pa u krijuar kushtet për shtim të hapësirës që do të thotë, pa realizimin e investimeve që i kemi filluar apo planifikuar”, ka thënë ai, raporton EO.