Në Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK) insistojnë se ndeshja e Ligës së Kombeve ndërmjet Përfaqësueses së Kosovës dhe Moldavisë, do të organizohet në Prishtinë – stadiumin “Fadil Vokrri” dhe në asnjë mënyrë në ndonjë terren neutral. Kështu ka thënë sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu të martën.
Në edicionin e ri të Ligës së Kombeve që nis në muajin shtator, Kosova është në Grupin e tretë të Ligës C së bashku me Moldavinë, Slloveninë dhe Greqinë. Ndeshjen e parë Kosova e luan më 3 shtator si mysafire e Moldavisë, që tashmë ka marrë vendim që kjo përballje të zhvillohet në Itali, saktësisht stadiumin “Ennio Tardini” të Parmas.
Arsyeja e këtij vendimi është se Moldavia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe zhvillimi i ndeshjes në Itali është konfirmuar edhe në uebfaqen zyrtare të Federatës së Futbollit të Moldavisë. Ndërkohë, sa i përket ndeshjes së dytë që do të zhvillohet më 18 nëntor ku Kosova është nikoqire, federata e Moldavisë ka shkruar se vendi ende nuk është përcaktuar. Madje, nëpër mediumet moldave është shkruar se të dyja ndeshjet me Kosovën do të zhvillohen në terren neutral, gjë që kategorikisht është mohuar nga sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Salihu, raporton Koha.
“Ndeshja e parë e Moldavisë në Ligën e Kombeve, do të jetë në vjeshtë kundër Kosovës dhe do të luhet në Itali. Federata e futbollit të Moldavisë e ka marrë këtë vendim, sepse Moldavia dhe Kosova nuk kanë krijuar marrëdhënie diplomatike. Realisht, dy ndeshjet mes Moldavisë dhe Kosovës të planifikuara për këtë vjeshtë në Ligën e Kombeve do të luhen në terren neutral”, ka shkruar “Sputnik.md”.
Ndërkohë, edhe nënkryetari i Federatës së Futbollit të Moldavisë e ka konfirmuar një gjë të tillë.
“Për momentin kemi situatën në të cilën Republika e Moldavisë nuk e ka njohur pavarësinë e shtetit të Kosovës, përkatësisht qytetarët e Kosovës që mbajnë pasaporta të lëshuara nga autoritetet e Kosovës nuk mund të kalojnë kufirin e vendit tonë. Qytetarët e Moldavisë nuk mund të udhëtojnë as në Kosovë. Kështu që, ne duhet të respektojmë vendimet që shteti merr në lidhje me një shtet tjetër”, është shprehur Dragos Hancu.
Stadiumi “Ennio Tardini” është shtëpia e ekipit nga Serie A, Parma dhe ka një kapacitet prej 27 mijë ulëseve. Ende nuk ka një vendim nëse tifozët do të lejohen të jenë të pranishëm në tribuna, ndonëse në FFK insistojnë se dueli ndaj Moldavisë në Itali do të zhvillohet prapa dyerve të mbyllura.