8 muaj pa shtesat e rrezikshmërisë – Mbi 50 zyrtarë policorë lëshuan vendin e punës këtë vit

Prishtinë | 12 Sht 2023 | 08:18 | Nga Ekonomia Online

Tash e 8 muaj shtesat për rrezikshmërinë në punë nuk u janë ekzekutuar zyrtarëve policor.

Ani pse kjo është premtuar që nga shkurti nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Financave, deri më tani nuk është realizuar.

Lidhur me këtë çështje në një intervistë për Front Online ka folur kreu i Sindikatës së Policisë, Imer Zeqiri.

Ai ka thënë se edhe pas kërkesave të sindikatës, Qeveria e MF-ja nuk po ndryshojnë qëndrim.

Zeqiri thotë se vetëm një përgjigje kanë marr për shtesat e rrezikshmërisë.

“Ky është muaji i tetë që nuk janë ekzekutuar shtesat për rrezikshmërinë që janë pranuar më herët nga zyrtarët policor. Policët gjithmonë janë në rrezik për jetë gjatë intervenimeve të ndryshme. Përkundër premtimeve që kanë dhënë Qeveria e Ministria nga maji nuk ka asnjë lëvizje anipse kemi dërguar kërkesa të shumta. Përgjigja e tyre është se një Komision Qeveritar është duke punuar për shtesat dhe klasifikimin e koeficientit për stafin civil por s’ka veprim konkret”, thotë Zeqiri.

50 policë dhanë dorëheqje këtë vit/ Zeqiri: Qeveria ‘Kurti’ duhet të shqetësohet, numri mund të rritet

Pas pakënaqësive të shumta në Policinë e Kosovës, nga janari e deri më sot 50 pjesëtarë dhanë dorëheqje.

Kështu ka bërë të ditur për Front Online kreu i Sindikatës së Policisë, Imer Zeqiri.

Ai tha se Kosova do mbetet pa profesionistë të policisë.

Sipas tij, Qeveria ‘Kurti’ duhet të shqetësohet për numrin e dorëheqjeve në këtë institucion.

Ai ka paralajmëruar edhe largime të tjera të zyrtarëve policor.

“Ndalesa e shtesave dhe çështja e koeficientit e rriti mllefin e pakënaqësinë e zyrtarëve policor. Duhet të jetë shqetësim për Qeverinë dorëheqjet nga puna pas pakënaqësive që kanë dhe kushteve dhe do mbetemi pa profesionistë kjo situatë duhet të jetë alarmante për Qeverinë. Janë më shumë se 50 pjesëtarë të policisë që kanë dhënë dorëheqje gjatë këtij viti. Deri në fund vit do të kemi një numër të konsiderueshëm të dorëheqjeve nëse nuk plotësohen kushtet”, u shpreh Zeqiri.

Kryesindikalisti i Policisë: Qeveria ka buxhet, dëm i madh që policët mbetën pa sigurim shëndetësor

Hall tjetër përveç shtesave të rrezikshmërisë, pjesëtaret e policisë kanë edhe sigurimin shëndetësor.

“E vetmja polici në rajon që nuk e kemi sigurimin shëndetësor”.

Kryetari i Sindikatës së Policisë, Imer Zeqiri kështu ka deklaruar për Front Online.

Zeqiri ka thënë se afro 3 mijë polic janë lënduar në vendin e punës.

Ai thotë se Qeveria ka buxhet ta bëjë ligjin për sigurimin shëndetësor.

“Dëmi më i madh është ky. Mbi 2 mijë e 400 raste janë të lëndimeve në detyrë një pjesë kanë mbet me aftësi të kufizuara. Duhet të bëhet, kemi bërë propozime por as nuk është draftuar as nuk ka filluar procesi i këtij ligji. Tek policët është e tepërt të presin edhe ndonjë vit që t’i lëmë pa sigurim shëndetësor pjesëtarët sepse buxhet Qeveria ka dhe mund t’ia dalë”, theksoi Zeqiri.

Zeqiri ka bërë të ditur edhe statistikat e vdekjeve të pjesëtareve policor.

“Lëndime të policëve kemi çdo ditë, mbi 300 raste kemi që kanë vdek në detyrë por që kanë humb jetën gjatë kryerjes së detyrës zyrtare kemi 23 raste prej përfundimit të luftës e deri tash të cilët janë shpallë heronj”, tha ai.

Imer Zeqiri: Policët po ankohen, kanë mungesë të veshmbathjeve

Kryesindikalisti i Policisë, Imer Zeqiri duke folur në një intervistë për Front Online ka treguar edhe për vështirësitë që përballën policët.

Ai ka thënë se zyrtarët policor ankohen për mungesën e veshmbathjeve.

Furnizimin e pajisjeve, sipas Zeqirit po e vonojnë procedurat e tenderëve.

“Mungojnë mjetet logjistike si veshmbathje e këpucë e çizme. Tek ne ankohen zyrtarët policor që nuk ka të mjaftueshme, punë e tenderëve zgjat me disa procedura për shkak të vonesave nuk janë të kënaqur me furnizimin për policinë e rendit sepse njësia speciale janë të kompletuara që sa muaj me të gjitha pajisjet”, deklaroi Zeqiri.

Zeqiri: Kemi bërë shumë kërkesa për ta takuar Sveçlen, shpresojmë që do t’i mbajë premtimet

Imer Zeqiri, kryetari i Sindikatës së Policisë ka shpresa që premtimet e ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla për përmirësimin e kushteve të policisë do të realizohen.

Ai thotë se Sveçla në takime çdo herë është optimist.

Sipas Zeqirit, dialogu mes MPB dhe Sindikatës nuk ka mbaruar.

 “Kemi shumë kërkesa të dërguara për t’u takuar me ministrin Sveçla, jemi në dialog. Ministri në çdo takim ka premtuar dhe nuk ka thënë asnjëherë që nuk duhet të bëhet diçka për policinë çdoherë ka thënë që duhet të bëhet por veprim konkret rreth kërkesave tona nuk ka. Shpresojmë që premtimet e ministrit të bëhet realitet”, ka përfunduar Zeqiri për Front Online.

Të ngjashme