Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka reaguar pas tërmetit që ka ndodhur në Turqi.
Hoti ka pohuar se qytetarët e Kosovës janë në solidaritet me të gjithë të prekurit nga ky tërmet i tmerrshëm.
“Me shqetësim po i marr lajmet për pasojat në njerëz nga tërmeti në Izmir, Turqi. Qytetarët e Kosovës janë në solidaritet me të gjithë të prekurit nga ky tërmet i tmerrshëm. Lutemi për popullin turk”, thuhet në njoftim.
Ndryshe, një tërmet i fuqishëm ka goditur sot brigjet turke në veri të ishujve grek Samos.
Fuqia shkatërruese e tërmetit ishte 7.0 magnitudë, rreth 17 kilometra në brigjet e pjesës perëndimore të provincës së Izmirit, dhe u ndjerë në Athinë dhe Stamboll, ka bërë të ditur Instituti amerikan i Gjeologjisë.
Deri tani raportohet se katër persona kanë humbur jetën dhe 120 tjerë janë lënduar si pasojë e tërmetit të fuqishëm që goditi Turqinë dhe Greqinë, duke shkatërruar ndërtesa të shumta dhe lëshuar alarmin për një cunami të mundshëm.