85 nxënës e 45 mësimdhënës me COVID-19 në Prishtinë, nuk ndalet mësimi

Prishtinë | 01 Nën 2020 | 17:25 | Nga Ekonomia Online

Përderisa në kryeqytet vazhdon të jetë numri i lartë i rasteve të reja me COVID-19, nuk planifikohet që procesi mësimor të kalojë të mbahet online.

Në komunën e Prishtinës që nga fillimi i vitit të ri shkollor, janë 85 nxënës që janë infektuar me COVID-19, ndërsa janë edhe mbi 45 mësimdhënës që kanë rezultuar pozitivë. Megjithatë, Drejtoria e Arsimit në Prishtinë vlerëson se gjendja me pandeminë është e menaxhueshme.

Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Shpresa Shala, bën të ditur se aktualisht janë 6 shkolla që procesin mësimor janë duke e mbajtur online.

“Jemi në kontakt të vazhdueshëm me IKShPK-në dhe në momentin që e kemi një nxënës të infektuar atëherë gjithë klasa po udhëzohet që të shkojë në mësimin online dhe kjo është ndoshta mënyra më e mirë dhe përhapja është më e ngadalshme për shkak të menaxhimit të përbashkët që jemi duke e bërë me IKShPK-në. Për momentin mund të themi që është duke shkuar mirë, por ne jemi dëshmitar të rritjes së rasteve brenda ditës, nëpër shkolla janë duke u respektuar protokollet. Ne si DKA jemi çdo ditë në terren dhe i shohim që protokollet brenda shkollës respektohen”, thotë ajo.

Shala deklaron se janë mbi 85 raste të infektimit të nxënësve me COVID-19 dhe mbi 45 mësimdhënës. Pavarësisht kësaj ajo deklaron se situata në shkollat e kryeqytetit është e menaxhueshme dhe do të vazhdojë mbajtja e mësimit në objektet shkollore.

“IKSHPK bënë rekomandimet do të thotë për punën e shkollave dhe rastet të cilat janë brenda shkollës. Përderisa nuk kemi numër të madh të të infektuarve në shkollë atëherë mësimi duhet të vazhdojë, duke pasur parasysh rëndësinë e vijimit të nxënësve në shkollë. Kështu që, po mendoj për momentin është e menaxhueshme, në rast se ka rritje të mëdha të rasteve nëpër shkolla normalisht që duhet të mbyllet, mirëpo për momentin nuk kemi rritje të mëdha, po mund të menaxhohet edhe pa u mbyllur”, potencon ajo.

Sa i përket mosmarrjes pjesë në ligjëratat online, Shala thotë se edhe nxënësit dhe mësimdhënësit për këtë gjë marrin mungesa.

“Tani mësimi online është i barasvlershme me mësimin në shkollë, secili mësimdhënës i cili mungon në mësimin online llogaritet mungesë si të ishte në objektin shkollor. E njëjta gjë është edhe për nxënësit, do të thotë mungesat të cilat fëmijët i bëjnë në mësimin online llogaritet që i bëjnë në shkollë, sepse aktualisht jemi në një situatë që në rast të infektimeve mësimi kthehet online nga mësimi i rregullt dhe ndjekja e mësimit është obligative dhe mungesat duhet të merren të njëjta si në shkollë”, thotë Shala.

E para e arsimit në kryeqytet thotë se në vazhdimësi janë përkujdesur që t’i furnizojnë nxënësit dhe mësimdhënësit që nuk kanë pasur pajisje teknologjike për mbajtjen e mësimit online.

“Për nxënësit ne gjatë muajit prill dhe maj kemi pas marrë një aksion për pajisjen e nxënësve të cilëve iu mungojnë pajisjet teknologjike, diku afër 500 pajisje janë shpërndarë nëpër nxënës. Mirëpo, edhe në baza ditore kur ne marrim kërkesa nga institucionet edukativo arsimore atëherë jemi në kontakt me donatorët dhe i furnizojmë. Për mësimdhënësit nuk kemi buxhet që t’iu sigurojmë pajisje teknologjike, mirëpo secila shkollë ka pajisje brenda shkollës të cilat nëse kalojnë në mësimin online janë të obliguar t’i japin në rast se ka nevojë”, thotë ajo.

Të ngjashme