85 sekonda të fundit

Prishtinë | 05 Shk 2026 | 08:37 | Nga Demush Shasha

Është kurioze që ekziston një korrelacion i fortë në mes shkatërrimit të njerëzimit dhe ardhjes së Trumpit në pushtet. Për 65 vjet në gjykimin e mendjeve më të ndritura të botës njerëzimi ka qenë në trajektore të paqes dhe prosperitetit. Pastaj erdhi Trumpi

Vitet e fundit bota ka parë kaos; nga kolapsi financiar botëror dhe pandemia globale e deri te lufta më e madhe evropiane që nga Lufta e Dytë Botërore. Duke parë nëpër çfarë kohe po jetojmë shumëkush nga ne ka arritur në përfundim që “kurrë s’ka qenë më keq”. Nuk e di a është ndonjë lloj ngushëllimi, por tani e dimë që nuk jemi gabim. Tani edhe zyrtarisht e dimë që “kurrë s’ka qenë më keq”. 

Sa afër është njerëzimi që ta shkatërrojë veten? Sa afër është fundi i botës? Që nga viti 1945 mendjet më të ndritura të botës mblidhen një herë në vit për të dhënë përgjigje në këto pyetje. Pas mbarimit të projektit Manhatan, Albert Ajnshtajni, Robert Oppenheimer dhe shkencëtarët të tjerë nga Universiteti i Çikagos janë bashkuar në krijimin e një instrumenti i cili do të edukojë publikun për rrezikun e vetëshkatërrimit nga bomba nukleare, por edhe rreziqe të tjera të krijuara nga vetë njeriu.

Kësisoj ata themeluan Buletinin e Shkencëtarëve Bërthamorë dhe lansuan Orën e Apokalipsit. Për gati një shekull Buletini njihet si forum i mendjeve më të ndritura të njerëzimit të cilët mblidhen një herë në vit për të vlerësuar trendët kryesorë të sigurisë dhe për të paralajmëruar njerëzimin për rrezikun e vetëshkatërrimit. Produkti kryesor i punës së tyre është Ora e Apokalipsit. Ora e Apokalipsit vendoset disa minuta më afër apo më larg mesnate si simbol i mbarimit të kohës dhe fundit të njerëzimit. Sa më afër ora vendoset mesnatës, aq më afër jemi apokalipsit. 

Hera e parë kur ora është vendosur më së afërmi mesnatës (2 minuta para mesnate) ka qenë në vitin 1953 kur SHBA dhe Bashkimi Sovjetik testuan bombat respektive termonukleare – bombat 1,000 herë më shkatërruese se bombat nukleare. Më pastaj ora është kthyer mbrapa duke vlerësuar se njerëzimi është në rrugë të mbarë të paqes dhe prosperitetit. Dhe kjo zgjati për 65 vjet deri në vitin 2018. Nga viti 2018 e deri më sot ora ka filluar përsëri t’i afrohet mesnatës. Në vitet 2020, 2021 dhe 2022 Buletini i Shkencëtarëve Bërthamorë ka vlerësuar se njerëzimi është afruar jashtëzakonisht shumë shkatërrimit të vetvetes dhe rrjedhimisht ka filluar të numërojë kohën e mbetur deri në mesnatë në sekonda. Kësisoj tre vjet me radhë ora u vendos në 100 sekonda deri në mesnatë. Në vitin 2023 dhe 2024 me luftën në Ukrainë ora theu rekordet dhe u vendos në 90 sekonda deri në mesnatë. Në vitin 2025 ajo përsëri theu rekordet e mëparshme dhe u vendos 89 sekonda deri në mesnatë. Sot në vitin 2026 ora vazhdon të thyejë rekorde të mëparshme dhe të paralajmërojë njerëzimin për apokalipsin iminent. Këtë vit ajo u vendos në 85 sekonda deri në mesnatë. Sipas Buletinit, këto janë katër rreziqe më të mëdha që kërcënojnë njerëzimin: (1) rreziku nuklear, (2) ndryshimet klimatike, (3) kërcënimet biologjike dhe (4) militarizimi i inteligjencës artificiale. Për qëllime të kohës do të ndalemi vetëm te dy të parat. 

Vitin e kaluar bota hyri në territore të reja të paqëndrueshmërisë globale. Tri konflikte të mëdha rajonale që përfshinin fuqitë nukleare rrezikuan të dalin jashtë kontrollit. Në Evropë lufta midis Rusisë dhe Ukrainës evoluoi me taktika të reja ushtarake ofensive dhe retorikë të vazhdueshme nukleare nga Moska. Në Azi dy fuqitë nukleare India dhe Pakistani kaluan vijat e kuqe duke përdorur mjete të reja ofensive siç janë raketat dhe dronët të papërdorura deri më sot. Në Lindjen e Mesme, Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara realizuan sulme ajrore ndaj objekteve nukleare iraniane. Dëmi i shkaktuar nga sulmet mbetet i paqartë, ashtu si edhe fati i më shumë se 400 kilogramëve uranium, i cili është i mjaftueshëm për të ndërtuar disa armë nukleare. Mungesa e një shtegu politik rrezikon vendosjen e Iranit dhe kundërshtarëve e tij në një kurs të rrezikshëm të përplasjes nukleare. 

Kjo paqëndrueshmëri globale ndodh në një sfond ku tri fuqitë e mëdha janë duke përshpejtuar militarizimin e tyre nuklear. Pas 30 vjetësh pauzë Trump ka urdhëruar rinisjen e testimeve të armeve nukleare. Paralelisht me këtë SHBA-ja planifikon ngritjen e “Kupolës së Artë” – një sistem futuristik i mbrojtjes raketore, i cili synon të militarizojë edhe satelitët hapësinorë. Kina nga ana tjetër po zgjeron me shpejtësi numrin e kokave dhe platformave të veta bërthamore. Rusia është duke modernizuar sistemet e veta të sulmit nuklear dhe njëkohësisht ka hequr dorë nga marrëveshja e fundit diplomatike me SHBA-në e cila ka synuar kufizimin e arsenalit nuklear. Kjo lloj sjelljeje e fuqive të mëdha ka obliguar edhe vendet më të vogla të shqyrtojnë alternativat e tyre për zhvillimin e kapaciteteve nukleare. 

Trendët rekorde të klimës vazhduan në vitet 2024 dhe 2025. Temperatura mesatare globale në vitin 2024 ishte në nivelin më të ngrohtë në 175 vjet të fundit. Po kështu, dioksidi i karbonit atmosferik – gazi serrë më përgjegjës për ndryshimet klimatike të shkaktuara nga njeriu – arriti një nivel të ri prej 152 për qind të niveleve të vitit 1750. Oqeanet vazhdojnë të absorbojnë rreth 90 për qind të nxehtësisë së shtuar nga ndryshimet klimatike, dhe temperaturat mesatare globale të sipërfaqes së detit vazhdojnë të thyejnë rekorde. Akullnaja Conejeres në Kolumbi u shpall e zhdukur, dhe të gjitha akullnajat në Venezuelë i janë bashkuar një liste të gjatë akullnajash që janë në rrezik ose janë zhdukur. Evropa regjistroi mbi 60,000 vdekje të lidhura me nxehtësinë gjatë valës së të nxehtit të verës së kaluar. Përmbytjet në Kongo zhvendosën 350,000 njerëz. Përmbytja në Rio Grande do Sul zhvendosi mbi gjysmë milioni njerëz. Në Shtetet e Bashkuara, numri i katastrofave të rënda klimatike u rrit pothuajse pesëfish në vitin 2024, krahasuar me dekadën 1990-2000. Për më tepër, koha mesatare midis këtyre katastrofave klimatike është vetëm 12 ditë, krahasuar me një mesatare prej 82 ditësh në fillim të viteve 1980. Me shtimin e ujit të ëmbël nga shkrirja e akullnajave dhe zgjerimi termik, rritja mesatare globale e nivelit të detit arriti nivelin më të lartë historik. Në sfondin e gjithë kësaj vendi më i rëndësishëm në glob, nën udhëheqjen e Trumpit, i ka shpallur luftë energjisë së rinovueshme dhe politikave të arsyeshme klimatike. 

Është kurioze që ekziston një korrelacion i fortë në mes shkatërrimit të njerëzimit dhe ardhjes së Trumpit në pushtet. Për 65 vjet në gjykimin e mendjeve më të ndritura të botës njerëzimi ka qenë në trajektore të paqes dhe prosperitetit. Pastaj erdhi Trumpi dhe me ardhjen e tij Ora e Apokalispit filloi të thyejë rekorde dhe t’i afrohej çdo herë e më shumë mesnatës së apokalipsit. Natyrisht nuk mundet një njeri, qoftë ai edhe Trump, të jetë shpjegimi i vetëm për shkatërrimin e civilizimit, por ajo për çfarë Trumpi është përgjegjës është abdikimi i lidershipit të botës së lirë. Nuk është lajm që rreziku nuklear apo ndryshimet klimatike janë kërcënim për njerëzimin. Lajm është që tani në Shtëpinë e Bardhë kemi një predator politik i cili u ngjan më shumë despotëve arabë dhe aziatikë sesa liderit të botës së lirë. Thënë ndryshe tani jemi në territore të reja për njerëzimin.

Të ngjashme